Punësimi në verë, Xhihani: Është një mundësi e mirë si për sipërmarrjet, ashtu edhe për vetë studentët, apo të rinjtë

Çdo verë, bregdeti shqiptar po gjallërohet gjithmonë e më shumë. Rrugët mbushen, restorantet punojnë pa pushim, dhe dhomat e hoteleve prenotohen javë përpara.

Kjo është koha kur turizmi duket sikur përmbush premtimin e tij si “motor ekonomik”. Por përtej pamjes plot gjallëri të korrikut dhe gushtit, shifrat e tregut të punës zbulojnë një të vërtetë më komplekse.

Po, turizmi krijon vende pune, por a janë këto punë të qëndrueshme, dhe sa ndihmojnë realisht të rinjtë?

Për të kuptuar më shumë mbi situatën e punësimit sezonal i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte eksperti i punësimit, Arbër Xhihani.

“Në fakt praktika e punësimit të studenteve, veçanërisht gjatë sezonit të verës është mjaft e përhapur jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit, ku kryesisht fluksi i sezonit turistik sjell me vete dhe një rritje të konsiderueshme të numrit të të punësuarve në këtë sektor, i cili është shumë e vështirë të mbahet gjatë gjithë kohës i angazhuar me punë, pasi normalisht ka ndryshime të tejskajshme midis numri të turistëve jashtë sezonit turistik, por edhe vetë performimit të sipërmarrjeve të cilat janë të vendosura kryesisht në zonat turistike.

Për këtë arsye studentët shikohen si një mundësi, apo simbiozë e mirë qoftë për sipërmarrjet që mund të gjejnë një staf sezonal, por edhe për vetë studentët, pasi është një mënyrë shumë e mirë angazhimi në një sektor të bukur, pasi nuk është një sektor problematik apo me vështirësi të shtuara sa i përket marrëdhënies së punësimit. Dhe normalisht është një mundësi e mirë për të nxjerrë disa të ardhura shtesë si ndihmesë për arsye shkollimi”, u shpreh ndër të tjera eksperti i punësimit Arbër Xhihani.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME EKSPERTIN E PUNËSIMIT ARBËR XHIHANIN