TURQI – Gjykata urdhëron ndalimin e chatbot-it të IA Grok të Elon Musk për përmbajtje fyese
Një gjykatë turke urdhëroi sot ndalimin e aksesit në chatbot-in e IA Grok të Elon Musk nga Turqia, pasi platforma dyshohet se shpërndau përmbajtje fyese ndaj presidentit të Turqisë dhe të tjerëve, sipas AP.
“Chatbot-i, i zhvilluar nga kompania e Musk xAI, postoi vulgaritete kundër presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, nënës së tij të ndjerë dhe personaliteteve, ndërsa u përgjigjej pyetjeve të përdoruesve në platformën e mediave sociale X”, raportoi kanali pro qeveritar i lajmeve “A Haber”.
“Përgjigje fyese u drejtuan gjithashtu ndaj themeluesit të Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk”, thanë medie të tjera.
Kjo bëri që publiku i Ankarasë të paraqiste kërkesë për vendosjen e kufizimeve sipas ligjit të internetit të Turqisë, duke përmendur një kërcënim për rendin publik.
Një gjykatë penale e miratoi kërkesën duke urdhëruar autoritetin e telekomunikacionit të vendit të zbatojë ndalimin.
Incidenti është pjesë e një polemike më të gjerë rreth një përditësimi të kohëve të fundit të Grok, i cili rezultoi në përgjigje më “politikisht jokorrekte” dhe të pafiltruara.
Në përgjigje të polemikave në rritje, X tha se ishte në dijeni të postimeve të fundit dhe kishte ndërmarrë veprime të menjëhershme për të hequr përmbajtjen e papërshtatshme.
“Që kur u vu në dijeni të përmbajtjes, xAI ka ndërmarrë veprime për të ndaluar gjuhën e urrejtjes përpara se Grok të postojë në X”, tha kompania në një deklaratë.
