Pesë ditë nga përmbytja tragjike në Teksas, 161 rezultojnë ende të zhdukur

Të paktën 161 persona rezultojnë ende të zhdukur në Teksas pas përmbytjeve shkatërruese që goditën shtetin javën e kaluar. Deri më tani janë konfirmuar 109 viktima, 94 prej tyre në qytetin Kerrville, sipas guvernatorit Greg Abbott. Mes të zhdukurve janë pesë vajza kampiste dhe një këshilltare nga Kampi Mystic.

Përpjekjet për kërkim-shpëtim vazhdojnë me intensitet, duke përfshirë helikopterë, dronë dhe qindra punonjës nga agjenci të ndryshme, përfshirë FBI-në dhe Gardën Kombëtare. Megjithatë, autoritetet thonë se shpresat për gjetjen e të mbijetuarve po zbehen.

Guvernatori Abbott deklaroi se një “mur uji” 9 metra i lartë goditi zonën pas reshjeve të dendura, duke lënë banorët pa kohë për evakuim. Ai tha se autoritetet kishin lëshuar paralajmërime për stuhi, por askush nuk e parashikoi përmasën e katastrofës.

Ndërkohë, përmbytje të rënda kanë goditur edhe shtetin fqinj, New Mexico, ku banorët në Ruidoso janë paralajmëruar për rrezik të lartë. Disa shtëpi janë përmbytur dhe operacionet e shpëtimit vazhdojnë.

Presidenti Donald Trump pritet të vizitojë zonat e prekura në Teksas këtë të premte së bashku me Zonjën e Parë, Melania Trump.