Makaronat që ulin kolesterolin e keq, rezultate premtuese të eksperimentit të zhvilluar në Bari
Një lloj i ri makarone mund të kthehet në një aleat të çmuar në luftën kundër kolesterolit LDL, i njohur si “kolesteroli i keq”. Ky është përfundimi i një studimi të realizuar nga Universiteti Aldo Moro i Barit, ku është prodhuar një lloje makarone e formuluar posaçërisht për të ndikuar në metabolizmin e lipideve. Ajo synon veçanërisht personat me sindromën metabolike apo ata që përdorin ilaçe psikiatrike.
Rezultatet e këtij studimi klinik inovativ, të publikuara në revistën shkencore European Psychiatry, janë premtuese: pas tre muajsh konsum ditor të kësaj makarone eksperimentale, pjesëmarrësit regjistruan një rënie të ndjeshme të niveleve të kolesterolit të keq.
Makaronat janë zhvilluar falë një bashkëpunimi mes Universitetit të Barit (UNIBA), Molino Casillo, një kompani historike agro-ushqimore nga rajoni i Pulias, dhe CONSIS, një firmë informatike nga Bari që ka ofruar mbështetje teknologjike për gjurmueshmërinë e produktit dhe menaxhimin e të dhënave klinike përmes teknologjisë blockchain, duke garantuar kështu standardet më të larta të sigurisë ushqimore dhe cilësisë së të dhënave.
Studimi, i koordinuar nga prof. Antonio Rampino (Departamenti i Biomedicinës Translacionale dhe Neuroshkencave), në bashkëpunim me ekipin e prof. Piero Portincasa (Departamenti i Mjekësisë së Saktë dhe Rigjeneruese), nuk është ndalur vetëm në aspektin klinik. Eksperimentet laboratorike me qeliza të mëlçisë treguan se ekstrakti i përzierjes së përdorur në këtë makaronë ishte në gjendje të zvogëlonte numrin dhe madhësinë e pikave të yndyrës të akumuluara në mëlçi, një efekt i zakonshëm i përdorimit të disa ilaçeve psikotrope që shpesh lidhen me çrregullime metabolike.
Përveç aspektit shkencor, studimi ka çuar edhe në krijimin e një shërbimi të ri klinik. Në Spitalin Universitar Policlinico të Barit, pranë Njësisë së Psikiatrisë, është hapur një “Day Service” i dedikuar për diagnozën dhe trajtimin e çrregullimeve metabolike të shkaktuara nga ilaçet psikiatrike.
Nën drejtimin e prof. Rampino, ky shërbim bashkon ekspertiza të ndryshme, psikiatër, internistë, dietologë dhe biologë, për të ofruar trajtimin e personalizuar të pacientëve me profile metabolike komplekse.
Megjithëse do të duhet të priten rezultatet e testimeve më të gjera për të konfirmuar efektet, ky zbulim hap një horizont të ri në ushqyerje: jo vetëm si mjet parandalimi, por edhe si komponent aktiv në trajtimin e sëmundjeve kronike.
