MASHTRONIN DUKE U BEKUAR PARATË! Grabitën 2 milionë euro përmes skemës, 11 të arrestuar

2 milionë euro kanë mundur të grabisin anëtarët e një grupi në Australi përmes mashtrimit në atë që quhen bekimi, apo heqja e mallkimit. Pre e tyre kanë rënë të paktën 80 gra të moshuara

25 persona dyshohen nga policia australiane si pjesë e skemave të mashtrimit të të moshuarve përmes një forme të bestytnive. Autoritetet thonë se në 80 raste, kanë mundur të grabisin rreth 2 milionë euro.

Blutë kanë lëshuar 11 urdhër arreste, të gjitha në bregun lindor të Australisë.

E njohur ndërkombëtarisht si “Chinese blessing scam”, skema synon zakonisht gra të moshuara, të cilat manipulohen përmes frikësimit dhe bestytnive kulturore.

Anëtaret e grupeve u afrohen fillimisht viktimave në publik duke u thënë se një i afërm i tyre është i mallkuar.

Më pas e çojnë te një person tjetër që prezantohet si shërues shpirtëror, i kërkojnë të fusë para dhe bizhuteri në një çantë, me qëllimin që të “bekohen”.

Ndërrojnë fshehurazi çantën dhe i kthejnë viktimës një tjetër të boshatisur duke i  kërkuar të mos e hapin për disa muaj, me pretendimin se do ta ndjekë një fatkeqësi nëse e bën duke fituar kohë për të ndryshuar vendndodhjen.

Rasti më i fundit i konstatuar janë dy shtetas australianë të cilët janë arrestuar nga policia në tentativë për tu larguar drejt Kinës pasi i kishin marrë një gruaje 77-vjeçare 80 mijë euro, para dhe bizhuteri.

Metoda është praktikuar në vende të ndryshme për më shumë se 25 vite përfshirë SHBA, Britaninë e Madhe, Kanadanë dhe Zelandën e Re.