KRIZA E FASONERIVE, Prençe: Kriza e valutave dhe mungesa e porosive nga jashtë po na çon në faliment

Për shkak të vështirësive me rënien e kontratave nga partnerët e huaj, humbje të ardhurash nga zhvlerësimi i euros dhe rritjet e kostove në sektorin fason pritet që pas përfundimit të muajve të verës të nisë sërish mbyllja e fabrikave dhe shkurtimi i vendeve të punës.

Paralajmërimi për rrezikun e investimeve dhe punësimin e sektorit të manifakturës bëhet nga kryetari i shoqatës së ProEksport Albania Edvin Prençe.

Ky i fundit, në një intervistë për “Ora News” u shpreh shkaku kryesor është qëndrueshmëria prej një kohe të gjatë tashmë të nivelit të ulët të kursit të këmbimit të monedhave.

“Nuk mund të flasim për një rimëkëmbje, por mund të themi një qëndrueshmëri të kursit të këmbimit.

Duke pasur parasysh rëniet që ka pasur kursi i këmbimit që është një rënie prej 20% kjo është tregues, apo ajo çka bizneset e kanë humbur në raport me tregjet ndërkombëtare që ata bashkëpunojnë.

Patjetër është dhe fakti i rritjes së kostove, pra janë shumë elemente të cilët së bashku kanë çuar në mbylljen e bizneseve.

Po ta krahasojmë në raport me vitin e kaluar, rënia është dyshifrore, pra nuk është një rënie e lehtë, por goxha e fortë.

Por ajo çfarë po shikohet dhe perceptohet nga biznesi është pikërisht në sezonin që ka apo pretendohet të rishiten kontratat me brendet e huaja tashmë kjo është një problematikë dhe handikap që po tregon se ka një largim të këtyre brendeve dhe ka një ulje të porosive për të prodhuar në Shqipëri. Pra është një ngërç global i të gjithë sektorit, duke mos harruar se ky sektor ka rreth 60 mijë të punësuar dhe zë rreth 32 5 të produkteve shqiptare.

Që nga nisja e krizës së kursit të këmbimit kemi rënie me 10 mijë të numrit të të punësuarve, ku në 95% janë gra dhe flasim për ato fabrika që janë shtrirë deri në zonat rurale të Shqipërisë.

Pra do të thotë që kriza përtej impaktit ekonomik është ka dhe impakt social, pasi flasim për punonjës që nuk kanë zgjidhje apo zgjedhje tjetër përveçse të punësohen dhe të punojnë në sektorin tonë.

Po ashtu sektori ka dhe mungesë të likuiditetit”, u shpreh kryetari i shoqatës së ProEksport Albania Edvin Prençe.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME KRYETARI E SHOQATËS SË PROEKSPORT ALBANIA EDVIN PRENÇE