Trafikoi mbi 1 ton kanabis/ Kapet në Francë 50-vjeçari shqiptar, ish-shoqëruesi i Saimir Tahirit
Është arrestuar në Francë, Paul Deda, ish-shoqëruesi i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili rezulton i dënuar nga gjykata e Posaçme me 8 vite burgim për akuzën e “Trafikut të drogës” në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e kryera rezultoi se Paul Deda, në bashkëpunim me shtetas shqiptarë dhe italianë, kanë tentuar të trafikojnë në Itali, nëpërmjet rrugës detare, 1016 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa të kultivuar në Shqipëri.
Sasia e lëndës narkotike u sekuestrua në Bari, nga Policia italiane, ku gjithashtu u arrestuan 2 pjesëtarë të kësaj organizate kriminale.
Paul “Agustin” Deda, i cili ka shërbyer më parë si ish-truprojë u dënua me 12 vjet burg për trafikim të narkotikëve dhe 3 vjet për grup të strukturuar kriminal. Ai u dënua me një vendim të vetëm prej 12 vitesh heqje lirie dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, do të vuajë përfundimisht me 8 vjet burg.
Dënime të njëjta u dhanë dhe për dy anëtarë të tjerë të këtij grupi të strukturuar kriminal me aktivitet trafikimin e lëndëve narkotike, dy të pandehurit Leonidha Sejdiaj dhe Hamid Seferi, të cilët dhe këta kishin kërkuar gjykim të shkurtuar.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Aurel Arapi, Ilir Përdeda dhe Ardit Mustafaj.
Rezultatet e hetimit disa vjeçar të zhvilluar nga autoritetet shqiptare me ato italiane të koduar si operacioni “Shpirti” u njoftuan gjatë një konference për shtyp të zhvilluar nga SPAK dhe Antimafia italiane më 4 korrik 2021.

