Kisha e Profetit Ilia në Stegopull të Gjirokastrës
Kisha e Profetit Ilia është një monument i trashëgimisë kulturore në Stegopull të Gjirokastrës.
Ky objekt është shpallur Monument Kulture, Kategoria I, në qershor të vitit 1973. Tipologjia e tij është një kishë, e ndërtuar në vitin 1624.
Piktura murale është vepër e Kostandinit, djalit të Mihalit nga Linotopi dhe nxënësit të tij Nikolla. Këtë e tregon edhe mbishkrimi në portën e brendshme të kishës, e cila mbetet një nga kishat më të ruajtura në këtë zonë.
Manastiri i Stegopulit mbrohet dhe mirëmbahet me fanatizëm nga banorët dhe DRTK Gjirokastër si një nga krenaritë e kësaj treve.

Kisha përbëhet nga naosi dhe narteksi. Naosi është i tipit në formë kryqi me kupolë triapsidal me përmasa të brendëshme 6,60 x 3,60 m. Proporcionet e zgjatura të naosit kanë kushtëzuar një zhvillim jo të barabartë të krahëve. Në bërthamën qendrore në formë drejtkëndëshi ngrihet kupola mbi një tambur të lartë.

Në anën perëndimore naosi lidhet me narteksin, i cili mbulohet me qemer cilindrik gjatësor. Në narteks hyhet nga porta në anën perëndimore, mbuluar me arkitra të rrafshtë, mbi të cilin në një kamare ruhen datat 1777 dhe 1889. Data e parë është ajo e ndërtimit të narteksit; e dyta, e ndonjë rindërtimi të mundshëm.
Së fundmi, DRTK Gjirokastër ka sistemuar muret rrethuese të cilat ishin dëmtuar si dhe pastroi bimësinë në mjediset brenda mureve rrethuese të kishës si dhe hapësirës rreth saj.

