Blegtoria në krizë, bie numri i deleve dhe dhive, Ekspertët: Subvencionet nuk mjaftojnë

Blegtoria shqiptare po përballet me rënie të vazhdueshme, me një ulje të ndjeshme të numrit të deleve dhe dhive gjatë vitit 2024. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se numri i deleve ka rënë me 2.5%, ndërsa ai i dhive me 3.9%. Aktualisht në vend ka 1 milion e 177 mijë dele dhe 615 mijë dhi.

Ndërkohë, ka një rritje modeste në sektorin e gjedhëve, me 9 mijë krerë lopë më shumë krahasuar me vitin e kaluar, ose 3.3% rritje.

Sipas ekspertëve, kjo rënie është pasojë e mungesës së politikave efektive dhe të qëndrueshme për mbështetjen e blegtorisë. Mjeku veterinar Xhelil Koleci paralajmëron se sektori po shkon drejt shuarjes:

Kërkohet një strategji kombëtare, e ndërtuar mbi modelet më të mira të vendeve të zhvilluara.

Sipas ekspertëve, subvencionet aktuale nuk janë të mjaftueshme për të motivuar fermerët të vazhdojnë mbarështimin e bagëtive. Ata theksojnë se zhvillimi rural nuk mund të shihet vetëm si çështje e ndihmës financiare, por duhet të përfshijë shërbimet bazë dhe përmirësimin e infrastrukturës.

Fermeri ka nevojë për shërbim shëndetësor, jetë sociale dhe rrugë funksionale. Blegtoria nuk është më aktivitet tregtar, por vetëm për nevoja familjare,”, tha eksperti i bujqësisë, Noc Fasllia.

Kostoja në rritje e prodhimit dhe çmimet e larta të ushqimit për bagëtitë kanë bërë që prodhimet vendase të mos jenë më konkurruese krahasuar me ato të importuara, veçanërisht nga rajoni.

Ekspertët paralajmërojnë se varësia nga qumështi i importuar, përfshirë edhe nga Serbia, sjell pasoja të shumta ekonomike dhe sociale për vendin.

E vetmja degë e bujqësisë që ka shënuar rritje është bletaria. Numri i koshereve është rritur me 13.2% brenda një viti, duke arritur në 587 mijë familje bletësh. Megjithatë, kjo rritje nuk mjafton për të mbuluar nevojat e brendshme për mjaltë në tregun shqiptar./Top Channel