Britania sekuestron kok**në nga Panamaja me vlerë 137 milionë dollarë
Oficerët e Forcave Kufitare sekuestruan 2,4 tonë kokainë me një vlerë prej gati 137 milionë dollarësh, në një nga sekuestrimet më të mëdha të drogës në vite.
”Masa e madhe u gjet nën kontejnerë në një anije që mbërriti në portin London Gateway nga Panamaja”, tha Ministria e Brendshme britanike.
Oficerët specialistë zbuluan ngarkesën në fillim të këtij muaji, pasi kryen një operacion të udhëhequr nga shërbimet sekrete.
Me ndihmën e operatorit të portit, ata zhvendosën 37 kontejnerë të mëdhenj për të arritur në sasinë e madhe.
Me një vlerë të vlerësuar prej 137 milionë dollarësh, kjo shënon sekuestrimin e gjashtë më të madh të kokainës që nga fillimi i regjistrimeve.
Ministrja për Migrimin dhe Shtetësinë, Seema Malhotra tha se ”bandat e drogës që përpiqen të importojnë substanca të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar janë një plagë për shoqërinë dhe ne nuk do të lëmë asnjë gur pa lëvizur në ndjekjen tonë të bandave të krimit të organizuar që shkaktojnë varësi, mjerim dhe vdekje në komunitetet e BM”.
”Urime oficerëve të Forcës Detare Kufitare për një operacion jashtëzakonisht të suksesshëm, i cili ka dhënë një goditje të madhe kundër kriminelëve që kërcënojnë vendin tonë”, theksoi ajo.
”Vdekjet e lidhura me kokainën në Angli dhe Uells u rritën me 31% midis viteve 2022 dhe 2023”, tha Ministria e Brendshme.
Drejtori i Forcës Detare Kufitare, Charlie Eastaugh, tha se ”ky sekuestrim – një nga më të mëdhenjtë e këtij lloji – është vetëm një shembull se si oficerët e përkushtuar detarë të Forcës Kufitare mbeten një hap përpara bandave kriminale që kërcënojnë sigurinë tonë”.
”Mesazhi ynë për këta kriminelë është i qartë – më shumë se kurrë më parë, ne po përdorim inteligjencën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të zbatimit të ligjit për të prishur dhe çmontuar operacionet tuaja”, theksoi ai.

