"Evropa e mbrojtjes më në fund është zgjuar", Von der Leyen nga Haga: 650 miliardë euro investime në mbrojtje gjatë katër viteve të ardhshme!

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë fjalës së saj në Samitin e NATO-s për Forumin e Industrisë së Mbrojtjes u shpreh se Evropa e mbrojtjes më në fund është zgjuar. Von der Leyen e përshkroi objektivin prej 5% të shpenzimeve të mbrojtjes të vendosur nga NATO për aleatët si “historik” , duke nënvizuar rëndësinë e mënyrës se si shpenzohen investimet.

“Arkitektura e sigurisë në të cilën jemi mbështetur për dekada nuk mund të merret më si e mirëqenë”, shtoi ajo, duke përshëndetur veprimin e ri që Evropa ka ndërmarrë në muajt e fundit.

Ajo iu referua Planit ReArm Europe 2030, i cili do të mobilizojë 650 miliardë euro investime në mbrojtje gjatë katër viteve të ardhshme dhe instrumentit financiar SAFE me 150 miliardë euro kredi për prokurim të përbashkët në mbrojtje. Von der Leyen iu referua gjithashtu programit të propozuar të Komisionit për reduktimin e burokracisë për investimet në mbrojtje, si dhe 8 Marrëveshjeve të Partneritetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë me vende anembanë botës - e fundit prej të cilave ishte me Kanadanë.

Presidentja e Komisionit theksoi që industria e mbrojtjes të jetë në gjendje të japë rezultate me shpejtësi dhe shkallë duhet të krijohen kushtet e duhura. Ajo përmendi si shembull kreditë SAFE, të cilat ofrojnë stimuj për prokurim të përbashkët dhe kontrata afatgjata. Kjo do t'i japë industrisë së mbrojtjes parashikueshmërinë që i nevojitet për të rritur prodhimin.

Ajo gjithashtu vuri në dukje se SAFE nuk është i hapur vetëm për Shtetet Anëtare të BE-së, por edhe për Shtetet Anëtare të ardhshme si Ukraina, dhe është i hapur për partnerët e Mbrojtjes dhe Sigurisë si Mbretëria e Bashkuar ose Japonia, si Norvegjia ose Koreja e Jugut. Ajo shtoi se BE po sqaron rregullat mbi transferimet ndërkufitare të produkteve të mbrojtjes dhe partneritetet industriale shumëkombëshe.

"Kjo është mënyra për të përshpejtuar dhe përmirësuar, jo individualisht, por së bashku me miqtë tanë më të besuar", shtoi ajo.

Presidentja e Komisionit paralajmëroi se në pesë vitet e ardhshme Rusia do të jetë në gjendje të testojë kapacitetin mbrojtës evropian, prandaj ajo theksoi se deri në vitin 2030 Evropa duhet të ketë gjithçka që i nevojitet për një "pengesë të besueshme".