Paqe dhe luftë mes Izraelit dhe Iranit, Abazi: Kur veproi forca, i erdhi radha diplomacisë dhe këto dy shtete do ta respektojnë armëpushimin

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thotë se si Izraeli ashtu edhe Irani kanë shkelur armëpushimin në Lindjen e Mesme.

Trump është shprehur se të gjithë aeroplanët izraelitë që shkojnë në Iran “do të kthehen në shtëpi” dhe se armëpushimi “është në fuqi”.

Lidhur me këtë marrëveshje të paqartë mes palëve eksperti i sigurisë Sulejman Abazi, në një intervistë për “Ora News” u shpreh se dakordësia për një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit u arrit nëpërmjet Presidentit Trump dhe ky sigurisht është një lajm i mirë për të gjithë.

“Sepse askush nuk e do luftën dhe të gjithë vuajnë pasojat e saj. Ndoshta incidentet lidhen me faktin se mesa duket në orët e fundit para hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje mund të ketë pasur veprime të fundit nga të dyja shtetet, sepse kemi parasysh se dhe disa raketa iraniane janë lëshuar, por edhe 20 avionë izraelitë kanë fluturuar mbi Iran.

Armëpushimi është pranuar dhe mendoj se veprimi propagandistik është i njëanshëm dhe se armëpushimi nuk mund të prishet kur është pranuar nga të dyja palët dhe mbrapa saj qëndrojnë SHBA-të.

Të dyja shtetet janë të interesuara për këtë armëpushim. Kjo pasi duhet të kemi parasysh se kemi një Iran me kurriz të ulur, kjo për shkak edhe të problemeve të brendshme që ka me popullsinë e vet.

Por kemi edhe një Izrael që kërkon të ruajë me çdo kusht nivelin e propagandës që është një shtet i fortë ushtarakisht, që disponon bombën bërthamore dhe që është i aftë të përballojë ngarkesat e përplasjeve të tilla ushtarake. Pra, të dyja shtetet kanë nevojë për kohë dhe këtë ua siguroi veprimi amerikan.

Të mos harrojmë se armëpushimi u arrit pas menaxhimit të aktit të diplomacisë, ku kemi vizitën e ministrit iranian me presidentin rus Vladimir Putin, ku nuk mori mbështetjen ushatarake për këtë konflikt. Dhe nga ana tjetër kemi veprimin trupave amerikane me avionët “B2” që goditën rëndë forcën bërthamore të Iranit.

Pra, në këto kushte kur veproi forca, i erdhi radha diplomacisë dhe këto dy shtete do ta respektojnë marrëveshjen, por ky armëpushim nuk është garanci për siguri dhe paqe në rajon”, u shpreh Sulejman Abazi.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME EKSPERTIN E SIGURISË SULEJMAN ABAZI