Izrael-Iran, Softa: Armëpushimi, s’është fund i konfliktit. Teherani synonte të ishte fuqi bërthamore
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar përfundimin e luftës mes Izraelit dhe Iranit, përmes arritjes së marrëveshjes së armëpushimit të plotë nga të dyja palët.
Lidhur me këtë marrëveshje, eksperti i Sigurisë Fatjon Softa në një intervistë për “Ora News” u shpreh se arsyeja e konfliktit ishte e qartë: Teherani kërcënoi të shndërrohej në një fuqi bërthamore.
“Armëpushim nuk do të thotë fund i një konflikti, por një ndërhyrje diplomatike ndërmjet Katarit, që ka shërbyer si katalizator. Sigurisht që gjendja është e ngarkuar dhe e tensionuar dhe si e tillë mund të prishet nga njëra prej palëve, gjë që do ta rikthente luftën në gjendjen fillestare.
Por armëpushimi është për t’u përshëndetur dhe arsyeja e këtij konflikti është e qartë, pasi Teherani kërcënoi të shndërrohej në fuqi bërthmore gjë që nuk u pranua”, u shpreh Softa.
Armëpushimi i propozuar Iran-Izrael
Trump postoi një postim në platformën e tij Truth Social rreth orës 6 të pasdites sipas orës lokale të hënën në Uashington DC (22:00 GMT), duke deklaruar se armëpushimi do të fillonte të hynte në fuqi “përafërsisht brenda 6 orësh nga tani”.
Kjo periudhë gjashtëorëshe – e cila skadoi në orën 04:00 GMT (7:00 të mëngjesit në Izrael, 7:30 të mëngjesit në Teheran) – kishte për qëllim t’i lejonte Iranit dhe Izraelit të qetësoheshin dhe të përfundonin “misionet e tyre përfundimtare”.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME EKSPERTIN FATJON SOFTA

