Revista Newsbomb.al vjen me numrin e ri, nga sot në të gjitha pikat e shitjes! Ja artikujt që do të lexoni
Revista Newsbomb.al vjen me numrin e dyzetë e gjashtë, nga sot në të gjitha pikat e shitjes! Po ashtu, mund të abonoheni dhe online, për të gjithë revistën, ose vetëm materialet ekskluzive që ju interesojnë.
Më poshtë, po pasqyrojmë materialet që do të gjeni në këtë numër të ri:
Me Tanin përtej fundit: Kërkoj të shkruaj fjalë, dhe fjalë nuk gjej, pikërisht aty ku ai do gjente. Ai për mua nuk ishte vetëm baba, ai ishte një pikë referimi, dhe mendoj që edhe unë - deri diku – isha pikë referimi për të. Ai nuk fliste me absolute, dhe unë e kundërshtoja, mendoja që disa rregulla ishin gjithmonë të shkruajtura në gur. Ai thoshte që vdekja lë gjithmonë pishmane. Jam e nderuar të them që do e kundërshtoj edhe një herë të fundit. Mendoj që kjo ishte e vetmja vdekje që mund të ketë ndodhur pa pishmane. Unë pata nderin të kaloja një fundjavë perfekte. Me të dy prindërit dorë për dore, nëpër muzeume, kisha, dhe në mesin e një qyteti të ri.
Amaneti i fundit: IKJA ERDHI DHE E MORI. U SHUA AI, ARTAN LAME! Nuk do të ishte më, ai që i dha zë një bote që po dorëzonte lirinë e vet krijuese mizorisë së heshtjes. Do të këputej një nga fijet që na mbanin të lidhur qëllimirë me të shkuarën, me çfarë ajo kishte mundur të mbërrinte deri te ky zell, që guxoi ta nxirrte atë nga zgafella, për ta larë me dritë, e shënjuar me ëndje. Ndaloi rrjedhën e vet të vërshimtë ky lum pasioni dhe përkushtimi, që kah shkoi çoi zgjim e mëkoi frymim. Iku, duke marrë me vetëm ato trokitje të pakuara zemre që dot nuk e mbajtën në jetë, në lojën fatale.
RËNIA E PD, VOTAT ZHDUKIN YJET E DOKTORIT! Pushteti i gjatë të konsumon, ndërsa opozita e gjatë të degradon. Disfata e rëndë elektorale duket se do i kushtojë rëndë drejtuesve politike të PD, atyre që premtonin se do të ishin e ardhmja. Zgjedhjet patën padyshim probleme, po ato nuk e jufitikojnë humbjen e thellë të 11 Majit. Revista Neësbomb, bën një profil të atyre që ishin në krye të qarqeve, ku PD u dëmtua më rëndë…
Banka Botërore: Rritje Ekonomike dhe pabarazi! Dikur Shqipëria udhëhiqte vendet e rajonit për shkallën e rritjes ekonomike, e së fundi kjo rritje është normalizuar dhe duket të mos jetë gjithëpërfshirëse, pasi po përqëndrohet në dy sektorë: ndërtimi dhe shërbimet. Në vendet e rajonit, 1 ndër 10 qytetarë është në varfëri ekstreme; në Shqipëri raporti ndryshon: një në pesë qytetarë është në kushtet e tejskajshme të varfërisë.
Shaban Murati, fjalët e fundit të një diplomati për kombin! U rikthye te populli i tij, te bashkëkombasit e tij me Antitabu 3 diplomati i shquar Shaban Murati për të mos ikur pa e kryer deri në fund misionin e tij njerëzor si një promete që thërret: Ruhuni o bashkëatdhetarët e mi nga të këqijat që ju kanosen! E ky zë vjen si një shungullimë e një gjëmim para se ai të mbyllte sytë përgjithnjë. Është Antitabu 3 dhe në faqen e parë në dedikimin e tij është emri i vajzës së tij Deas dhe fëmijëve të saj Ueslit dhe Bjornit, një kujtim i rrallë për ta që do ta kenë për tërë jetën.
Sali Bollati, 81 vjeç rrëfen krimet greke në familjen e tij Çame! Ishin pesë fëmijë të lumtur deri atë qershor. Një familje e madhe që u shua në pak ditë. Dy gjyshërit, prindërit dhe tre fëmijë të vrarë, tre ditë masakra. Kjo është historia e Sali Bollatit, një të mbijetuari nga gjenocidi në Çamëri, 81 vjet më parë.
55 si 22, rrëfimi i artistit që s’u lodh kurrë që qeni vetvetja! Sot është 52 vjeç, por krijon dhe jeton me të njëjtin pasion si të ishte 22, në ato fillimet e veta. Tek ai është e thjeshtë të dallosh artistin që në pamje të parë, por kur i hyn në brendësi, sikurse do ta zbulojmë në këtë intervistë për revistën, sheh njeriun me botë, që i provon të gjitha emocionet dhe me karakter. Prej kohësh ELTON DEDA, Redon Makashi e Sandër Gjoka miklohen nga etiketimi “3 musketierët”, edhe pse nuk kanë ndonjë lidhje me luftëtarët e Aleksandër Dymasë.
Kombëtarja në provimin e vjeshtës! “Ore, a do të na gjesh ndonjë biletë?” Ishte pyetja më e dëgjuar në këtë fillim qershori. Një kërkesë që, në dukje, tingëllonte e thjeshtë, por në realitet, ishte një luks i vërtetë. Shqipëria pritej të përballej me Serbinë dhe gjithçka kishte marrë përmasa finaleje. Një biletë në Arenën Kombëtare vlente më shumë se një vend në finalen e Champions League. Të gjithë donin të ishin aty, jo vetëm për prestigj, por për historinë që kjo ndeshje mbart, për simbolikën, për krenarinë.
Freski, ngjyra dhe stil! “Muaji i qershive” është hyrja zyrtare në stinën më të gjallë dhe të ndritshme të vitit, siç është vera... Me temperaturat që rriten dhe ditët që zgjasin më shumë, garderoba jonë kërkon një rifreskim që të reflektojë jo vetëm stilin personal, por edhe kërkesat praktike të këtij sezoni.
Artikujt e plotë mund t'i lexoni në numrin e 46-të të Revistës Newsbomb.al, i cili ka dalë në treg nga sot, datë 20 Qershor dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!


