Ekspozohen mbi 700 vepra të rralla nga shekulli XIV-XIX, pjesë e koleksionit të Bibliotekës Kombëtare
“Kujtesa e Mesdheut- Nga antikiteti në kohët moderne” titullohet ekspozita e çelur në në kuadër të shpalljes së Tiranës si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025.
Në ekspozitën e hapur në ambientet e Bibliotekës Kombëtare ishin të pranishëm ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Pirro Misha, kryetarja e komanduar e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, nëndrejtorja Majlinda Toçi, diplomatë, studiues, historianë e personalitete të fushave të interesit.
Të pranishmit patën mundësinë të shijonin nga afër materialet e ekspozuara, të gjitha pjesë e koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare.
Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se “kjo ekspozitë është një udhëtim mbresëlënës nëpër fondin e pasur të Bibliotekës Kombëtare, ku u sollën në vëmendje mbi 700 vepra të rralla nga shekulli XIV deri në XIX – libra, dorëshkrime, harta e gravura”.
“Kjo ekspozitë, me ndarjen e saj tematike të kujdesshme dhe thellësinë kulturore që ofron, është një kontribut i vyer në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë dokumentare. Një ftesë për të reflektuar mbi vendin e Shqipërisë në historinë e Mesdheut dhe për të rigjetur lidhjet tona me Lindjen, Perëndimin dhe vetveten”, tha Gonxhja.

Ekspozita, e cila vendos në qendër të saj gjithë ngjyrat dhe diversitetin e gjerë kulturor, fetar, shoqëror e politik të Mesdheut, shfaq për publikun e gjerë libra, dorëshkrime, harta e gravura mes viteve 1300-1900.
Përmes një ndarjeje tematike të qartë, ekspozita përfshin autorë klasikë, trashëgimi bizantine, botime veneciane dhe vepra që pasqyrojnë marrëdhëniet kulturore të Mesdheut me Lindjen.
Vlerësojmë këtë nismë si një kontribut konkret në ruajtjen, promovimin dhe interpretimin e trashëgimisë sonë dokumentare, si dhe një mundësi për të nxitur interesin publik ndaj historisë dhe rolit të Shqipërisë në këtë hapësirë të gjerë kulturore.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 18 korrik, çdo ditë, në oraret 09:00-20:00.

