TURISTË QË NË PRILL! INSTAT: Rritja e pushuesve me 15%, qëndruan më shumë netë
INSTAT ka raportuar një rritje me të paktën 15 për qind të pushuesve që prej muajit prill. Ndërkaq edhe qershori raportohet të ketë rritje të prenotimeve, madje edhe me më shumë netë qëndrimi si për të huajt dhe vendasit
Sezoni i mbarë turistik dhe me rritje të ndjeshme të pushuesve janë sinjalizuar që prej muajit prill.
INSTAT raporton se në hotele dhe ambiente të tjera akomoduese ka pasur një rritje me rreth 15 për qind të klientëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Gjithashtu rezulton se 15.3 për qind janë rritur vendasit që kanë pushuar në to dhe 13 për qind të huaj. Edhe net qëndrimet aty kanë pasur shtesë të fortë me të paktën 21 për qind.
Megjithatë në atë periudhë kanë qenë më të preferuar hotelet që nuk janë në zonat bregdetare.
shumica e vizitorëve nga jashtë kanë ardhur nga Italia që qëndron në vend të parë e më tej Kosova, Gjermania, Polonia dhe Mbretëria e bashkuar.
Këto të dhëna, sipas INSTAT, reflektojnë prirjen e rritjes së turizmit hyrës nga tregjet kryesore të rajonit dhe Evropës.
Ndërkaq ekspertët kanë shtuar se dyndje është shënuar edhe në këto dy javë të para të qershorit duke premtuar për një sezon të suksesshëm.
Prenotime në rritje janë raportuar edhe në muajin korrik dhe gusht.
Parë dhe nga trendi i viteve të fundit edhe fokusi i investimeve në turizëm është rritur ndjeshëm.
Vitin e shkuar në Shqipëri mbërritën rreth 12 milionë turistë ndërsa kjo shifër parashikohet të tejkalohet sërish.

