Russell i papërmbajtshëm/ Fiton “pole position” në Montreal, Verstappen ndjek nga afër

George Russell regjistroi një tjetër “pole position” të rëndësishëm në pistën e Montrealit, duke përsëritur suksesin e vitit të kaluar në kualifikimet e Çmimit të Madh të Kanadasë.

Piloti britanik i Mercedesit u ndal në kohën 1 minutë, 10 sekonda dhe 899 të mijtat, duke lënë pas Max Verstappen me Red Bull, vetëm 160 të mijtat më ngadalë.

Për herë të parë këtë sezon, asnjë McLaren nuk arrin të pozicionohet në vijën e parë të nisjes. Oscar Piastri, lideri aktual i kampionatit dhe shoku i Russell te Mercedes, do të niset nga rreshti i dytë bashkë me italianin Andrea Kimi Antonelli, i cili po kalon një fundjavë në rritje dhe shihet si kandidat serioz për podium.

Pas tyre, në vendin e pestë do të nisë Lewis Hamilton ndërsa përballë tij do të jetë veterani Fernando Alonso.

Lando Norris zhgënjeu në testin final pas një gabimi në kthesën e fundit, ndërsa Charles Leclerc nuk arriti të realizonte një xhiro optimale për shkak të trafikut të krijuar nga Isack Hadjar në përpjekjen e fundit.

Dhjetëshja e parë kompletohet nga vetë Hadjar, debutuesi franco-algjerian i Racing Bulls, dhe Alexander Albon me Williams, i cili provokoi një flamur të kuq në fazën kualifikeuse pasi makina e tij humbi kapakun e motorit në vijë të drejtë.

Në gjysmën e dytë të  startit, rreshti i gjashtë i takon një Franco Colapinto të përmirësuar me Alpine dhe Nico Hulkenberg me Sauber. Më pas vijnë dy pilotët e Haas-Ferrari, Oliver Bearman dhe Esteban Ocon. Në rreshtin e tetë do të nisen Gabriel Bortoleto dhe Carlos Sainz, që nuk arriti të kalojë fazën kualifikeuse për shkak të ndërhyrjes së Hadjar – një incident që e çoi këtë të fundit në Drejtorinë e Garës me rrezikun e një penalizimi me tre pozicione.

Lance Stroll, i cili garon para tifozëve të tij në shtëpi, do të niset nga rreshti i nëntë, krah Liam Lawson të Racing Bulls.

Në fund, rreshti i dhjetë përfshin Pierre Gasly, që këtë herë u dominua nga shoku i tij i ekipit Colapinto, si dhe Yuki Tsunoda, i cili u rendit i njëmbëdhjeti në fazën e dytë, por penalizohet me 10 pozicione për një parakalim të ndaluar ndaj Piastri gjatë provave të lira në flamur të kuq.