Interi në emergjencë për sulmin, në merkato për të forcuar repartin ofensiv

Cristian Chivu do të debutojë në pankinën e Inter-it në një skenë të madhe: Kupa e Botës për Klube, ku zikaltërit do të përballen fillimisht me meksikanët e Monterrey. Por përballja e parë e trajnerit të ri do të zhvillohet në kushte emergjente, pasi sulmi është tepër i cunguar.

Pas largimeve të Marko Arnautovic dhe Joaquin Correa – ky i fundit do të luaj në SHBA, por me Botafogon – Inter ka marrë një tjetër goditje. Sulmuesi Iranian, Mehdi Taremit, i sapo transferuar nga Porto, nuk ka mundur të udhëtojë drejt SHBA-ve për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore mbi Iranin pas tensioneve me Izraelin.

Problemet shtohen edhe më tej: Francesco Pio Esposito është ende i dëmtuar, ndërsa Marcus Thuram nuk është stërvitur gjatë ditëve të fundit. Në këtë situatë, Chivu do të detyrohet të nisë aventurën e tij me vetëm dy opsione sulmuese: Sebastiano Esposito dhe Lautaro Martinez.

Në sfond, Inter është i përqendruar në merkato për të forcuar repartin ofensiv. Sipas La Gazzetta dello Sport, objektivi parësor është Rasmus Højlund, i cili pritet të largohet nga Manchester United.

Klubi anglez kërkon 45 milionë euro për kartonin e tij, por është i hapur për një huazim me detyrim blerjeje – një formulë që Inter-i po mundohet ta negociojë me sukses.

Synimi i drejtuesve zikaltër është i qartë: t’i japin Chivu një alternativë cilësore në sulm, për të përballuar me dinjitet këtë debutim të rëndësishëm në Kupën e Botës për Klube dhe sezonin e ri që nis me ambicie të larta.