Kosova në drejtim “të paditur”, Andoni “skanon” Prishtinën: Askush s’e di deri ku mund të shkojë ky lloj ngërçi. Kurti do të bëjë lëshimë të mëdha
Kosova duket se ka hyrë në një rrugë pa krye sa i përket krizës politike që ka përfshirë vendin që pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Për analistin Ben Andoni në një kohë ku për 31 herë me radhë ka dështuar konstituimi i parlamentit, askush tashmë nuk mund të thotë se deri ku mund të shkojë ky ngërç.
I ftuar në një intervistë në “Ora News”, Andoni shprehu besimin e tij se do të jetë vetë Albin Kurti që do të bëjë lëshime të mëdha për krijimin e qeverisë së re.
Kjo sepse duket se ka një vetëdije më të madhe tashmë nga faktori politik kosovar për të bërë një lloj pakti.
“Nga lëvizjet e fundit që shikoj nga klasa politike në Kosovë duket se do jetë kjo më shumë pjesë e akrobacive politike se sa do të pritet deri në vjeshtë zgjidhja e këtij ngërçi.
Kjo për arsyen se Kosova në vjeshtë do të futet në zgjedhje lokale dhe Kosova do të futet në një proces shumë të gjatë dhe jashtëzakonisht shumë të vështirë, ku partia kryesore që është në Kosovë, ku dhe diferenca e Vetëvendosjes me partitë e tjera nuk është normale, për të marrë pushtetin lokal.
Sepse siç e dini Vetëvendosja nuk ka shumë komuna (bashki) dhe ti duhet të fitosh në pushtetin lokal për t’i paraprirë pushtetit qendror.
Dhe nga lëvizjet e fundit që po bëhen atje, disi më shumë nga z. Kurti besoj se do të bëhen lëshime shumë të mëdha për krijimin e qeverisë së re.
Për 31 herë me radhë ka dështuar konstituimi i parlamentit dhe askush tashmë nuk mund të thotë se deri ku mund të shkojë ky ngërç. Por duket se ka një vetëdije më të madhe tashmë nga faktori politik kosovar për të bërë një lloj pakti”, u shpreh Ben Andoni.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ANALISTIN BEN ANDONI

