Bulku shpjegon zgjedhjet e Silvinjos: Balliu, vendim teknik, penalltinë e radhës e gjuan Asllani

Zëvendëstrajneri i Kombëtares shqiptare, Ervin Bulku, doli para medieve në prag të miqësores kundër Letonisë, ku sqaroi disa prej zgjedhjeve të bëra nga trajneri Sylvinho.

Një nga çështjet kryesore ishte aktivizimi i Ivan Balliut në vend të Elseid Hysajt, që sipas Bulkut ishte një vendim teknik dhe jo për arsye të tjera.

“Balliu është një zgjedhje teknike e trajnerit.

Hysaj zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të bëhen rotacione. Të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm dhe kur futen në fushë duhet të japin maksimumin,” u shpreh Bulku.

Në lidhje me goditjen e penalltive, pas penalltisë së humbur nga Manaj, Bulku theksoi se një episod i tillë nuk është arsye për të përjashtuar një lojtar nga formacioni:

“Penallti kanë humbur edhe emra të mëdhenj. Kjo nuk e ul vlerën e Manajt si lojtar.

Gjithsesi, nëse do të kemi një tjetër penallti, do ta gjuajë Asllani,” konfirmoi ai.

Bulku foli edhe për mungesat në prapavijë, duke përmendur se Gjimshiti është jashtë për shkak kartonësh, ndërsa Ajeti nuk është i gatshëm për ndeshjen.

Sa i përket zgjedhjeve në sulm, ai tha se janë bërë në bazë të formës së treguar në ndeshjen e kaluar dhe asaj që shohin stafi teknik gjatë stërvitjeve:

“Formacioni është vendosur duke u bazuar në ndeshjen e mirë kundër Serbisë dhe paraqitjet në stërvitje. Kapiteni zgjidhet në varësi të ndeshjes.”