Policë vullnetarë e pa armë, Fishta: Qytetarët të pa përgatitur për ta mirëpritur këtë vendim të Qeverisë

Pak ditë më parë Qeveria miratoi vendimin për organizimin e shërbimit të policimit vullnetar.

Sipas vendimit në fjalë janë përcaktuar edhe kriteret dhe se kush mund të aplikojë.

Polici vullnetar duhet të jëtë 18–65 vjeç, të ketë arsim të mesëm dhe certifikohet nga Akademia e Sigurisë.

Ndërkaq nga kjo nismë përjashtohen gjyqtarët, prokurorët dhe punonjësit e institucioneve të sigurisë.

Kreu i Sindikatës së Policisë, Sadedin Fishta, në një intervistë për “Ora News” deklaroi se opinioni shqiptar është i papërgatitur për një vendim të tillë.

“Nëse e vlerësojmë si nismë, kjo është pozitive, pasi nuk ka dalë nga përvoja jonë, por është përvojë botërore që realizohet në vendet e huaja.

Por këto vende që e kanë futur këtë lloj shërbimi, janë vende që kanë një standard të lartë social, ekonomik dhe profesional. Duke e krahasuar vendin tonë me ta, mund të jetë një shërbim që mund t’i shërbejë shtetit tonë në lidhje me hapjen e negociatave për të përmirësuar legjislacionin, sepse në praktikë patjetër që ka vështirësi.

Thjesht opinioni për një shërbim të tillë duke pasur parasysh se një funksion i tillë ka ekzistuar edhe para 50 vitesh në sistemin tjetër, ndaj nuk është i përgatitur opinioni që ta mirëpresë këtë si shërbim”, vlerësoi në analizën e tij, Kreu i Sindikatës së Policisë, Sadedin Fishta.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME KREUN E SINDIKATËS SË POLICISË, SADEDIN FISHTA