Kujdes me produktet shtazore dhe akulloret/ Ekspertët apelojnë të konsumojmë produktet e stinës

Ekspertja e sigurisë ushqimore, Esmeralda Ballesha, apelon për vëmendje të shtuar ndaj mishit dhe akulloreve  sidomos gjatë sezonit të verës.

Ajo thekson rëndësinë e higjienës gjatë përgatitjes dhe këshillon  konsumin e ushqimeve të stinës.

Temperaturat e larta të verës, në mungesë të kushteve të duhura të ruajtjes, rrisin ndjeshëm rrezikun për sigurinë ushqimore.

Ekspertja Esmeralda Ballesha bën thirrje për kujdes të veçantë, sidomos me produktet shtazore dhe akulloret, të cilat konsiderohen ndër më të rrezikshmet gjatë kësaj periudhe.

‘’Vera është një ndër sezonet me rrisqet më të larta.

Sepse ne jemi pak më të shkujdesur në mënyrën se si ne konsumojmë.

Duhet të kemi kontroll kur vjen puna tek mishi.

Duhet të kemi kujdes të madh kur vjen puna tek akulloret të fëmijët.

Akulloret janë një ndër produket me rrisk më të lartë’’.

Rreziku shtohet ndjeshëm kur ushqimet tregtohen pa kontrolle dhe jashtë standardeve të sigurisë.

Përveç kontrollit të temperaturës dhe verifikimit të origjinës së produkteve, ekspertja thekson se higjiena mbetet një faktor thelbësor për të parandaluar problemet shëndetësore.

Ekspertët këshillojnë konsumatorët të zgjedhin ushqime të stinës dhe të tregohen të kujdesshëm me vendin dhe mënyrën e ruajtjes së tyre.