BE shpall plan për eliminimin e 'kimikateve të përhershme' në ujë, përmes Strategjisë së 'Rezistencës ndaj Ujit'

Bruksel, 4 qershor 2025 – Komisioni Evropian ka prezantuar Strategjinë Evropiane për Rezistencën ndaj Ujit, një plan ambicioz për të përballuar ndotjen e ujërave me PFAS – substanca kimike të njohura si “kimikatet e përhershme”.

Strategjia, e miratuar në Bruksel të mërkurën, parashikon ndërhyrje të thella për pastrimin e këtyre përbërjeve përmes partneriteteve publik-privat dhe fondeve të posaçme.

PFAS-et janë të pranishme në shumë produkte të përditshëm, si veshje rezistente ndaj ujit, pajisje mjekësore dhe ambalazhe ushqimore.

Për shkak të strukturës së tyre të qëndrueshme, këto kimikate nuk shpërbëhen në mjedis dhe akumulohen në organizma, duke shkaktuar pasoja të mundshme shëndetësore që llogariten në 52 deri në 84 miliardë euro në vit.

Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), në vitin 2022, më shumë se gjysma e lumenjve dhe liqeneve në Evropë tejkaluan standardet e cilësisë për PFOS-in – një formë e PFAS-it. Vetëm 37% e ujërave sipërfaqësorë janë në gjendje të mirë ekologjike.

Ndërkohë që Komisioni po synon eliminimin e PFAS-ve në produkte si kozmetika dhe paketimi i ushqimit, disa prej tyre nuk mund të ndalohen menjëherë, për shkak të mungesës së alternativave, veçanërisht në sektorin mjekësor dhe teknologjik.

“Problemi është se ne kemi nevojë për PFAS për shumë produkte për të cilat nuk ka ende zëvendësues të përshtatshëm,” u shpreh Komisionerja për Mjedisin, Jessika Roswall.

Shoqatat mjedisore kanë kritikuar mungesën e masave më të ashpra për ndalimin e PFAS-ve në burim, duke e quajtur këtë strategji si një “mundësi të humbur”.

Sipas ekspertëve, pastrimi i ujit nga këto kimikate kërkon procese të shtrenjta dhe komplekse që mund të çojnë në humbje të madhe të ujit dhe konsum të lartë energjie.

Komisioni synon të zbatojë parimin “ndotësi paguan” dhe të përdorë fonde publike vetëm kur ndotësi nuk identifikohet.

Kostot e parashikuara për dekontaminimin e PFAS-ve në Evropë variojnë nga 5 në 100 miliardë euro në vit – vetëm trajtimi i ujit të pijshëm mund të kushtojë deri në 18 miliardë euro në vit.

Strategjia gjithashtu synon rivendosjen e ciklit natyror të ujit dhe përmirësimin e aksesit në ujë të pastër, në një kohë kur 34% e BE-së përballet me mungesë uji.

Plani përfshin ndërgjegjësim publik, dixhitalizim përmes programit Copernicus dhe investime në infrastrukturë dhe inovacion.

“Uji është jetë. Rezistenca ndaj ujit është thelbësore për qytetarët tanë, fermerët tanë, mjedisin dhe ekonominë,” tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. “Ne duhet të veprojmë tani për të mbrojtur këtë burim jetik.”