FBI-ja heton dhu*ën ndaj të krishterëve në protestën e lutjes në Seattle

FBI-ja po heton pretendimet për “dhunë të shënjestruar” ndaj të krishterëve që morën pjesë në një shërbesë ungjillore lutjeje të shtunën në një park publik në Seattle.

Zëvendësdrejtori i FBI-së, Dan Bongino, njoftoi hetimin në rrjetin X, duke thënë se kishte kërkuar nga ekipi i tij “të hetojë plotësisht akuzat për dhunë të shënjestruar ndaj grupeve fetare” në protestën e krishterë gjatë fundjavës.

Ai shtoi: “Liria e fesë nuk është sugjerim.”

Njoftimi i Bongino-s erdhi pasi koalicioni i krishterë kundër abortit MayDay USA u mblodh sërish të martën në mbrëmje në Seattle, këtë herë në shkallët e Bashkisë, duke kërkuar dorëheqjen ose tërheqjen e deklaratave nga kryebashkiaku demokrat Bruce Harrell, i cili fajësoi organizatorët e krishterë për dhunën që shpërtheu.

Një përplasje kaotike mes demonstruesve të MayDay USA dhe aktivistëve të krahut të majtë, të cilët organizuan një tubim kundërshtues, çoi në plagosjen e efektivëve të policisë së Seattle-it dhe në arrestimin e pothuajse dy dhjetëra personave të shtunën pasdite.

Ndërsa grupet kundërshtare pro-LGBT thanë se shërbesa promovonte “vlera familjare fashiste”, udhëheqësit e MayDay USA, një grupim kleri konservator, thanë se po luteshin publikisht në mbështetje të jetës së palindur, ruajtjes së familjes bërthamë dhe mësimit se ekzistojnë vetëm dy gjini.

Në një deklaratë të parë pas përplasjes, kryebashkiaku Harrell sugjeroi se “tubimi i së djathtës ekstreme” nuk duhej mbajtur në një vend kaq të ndjeshëm, pasi Cal Anderson Park mban emrin e ligjvënësit të parë të deklaruar si homoseksual në shtetin e Uashingtonit.

Duke fajësuar MayDay USA, Harrell tha se parku u zgjodh qëllimisht “për të provokuar reagim, duke promovuar bindje që janë në thelb në kundërshtim me vlerat e qytetit tonë, në zemër të lagjes më të njohur LGBTQ+ të Seattle-it.”

Edhe pse ai qëndroi në anën e kundërprotestuesve, Harrell tha se ishin “anarkistët” ata që u “infiltruan” në demonstratë dhe “nxitën dhunë”.

Harrell i kërkoi Departamentit të Parqeve të qytetit të hetojë rrethanat që lidhen me kërkesën për leje nga organizatorët e krishterë.

Ai shtoi se po shqyrton “nëse kishte alternativa të ligjshme për vendndodhjen apo rregullime të tjera që mund të ishin marrë parasysh” gjatë procesit të miratimit të lejes.

Megjithatë, udhëheqësit e grupit të krishterë thanë se nuk kishin synuar ta mbanin tubimin në atë park.

“Ky park nuk ishte as vendi i parë e as i dytë ku organizatorët e aktivitetit kërkuan leje, por Zyra për Ngjarje Speciale në Seattle e sugjeroi atë si një alternativë të përshtatshme,” thanë organizatorët e MayDay USA për Washington Examiner.

Zyra e Harrellit i tha Washington Examiner se Cal Anderson Park ishte i lirë në atë kohë dhe plotësonte kërkesat për hapësirë dhe logjistikë për protestën e planifikuar.

Kur u pyet nëse kryebashkiaku beson se të krishterët kishin të drejtë të mblidheshin, të protestonin dhe të ushtronin fenë e tyre në mënyrë të ligjshme në një hapësirë publike, zëdhënësja për shtyp e Harrellit, Callie Craighead, tha për Washington Examiner se ai “respekton të drejtat e Amendamentit të Parë për të gjithë individët.”

Megjithatë, ajo shtoi: “Kryebashkiaku Harrell mbetet i palëkundur në dënimin e retorikës nga grupe që promovojnë përjashtimin, intolerancën dhe që cenojnë dinjitetin dhe të drejtat e çdo anëtari të komunitetit, veçanërisht atyre që janë të margjinalizuar si komuniteti ynë LGBTQ+.”

“Si i krishterë vetë, kryebashkiaku udhëhiqet nga vlerat e krishtera të dashurisë dhe drejtësisë, dhe komentet e tij i referohen posaçërisht ideologjive që bien ndesh me angazhimin e Seattle-it për të qenë një qytet mikpritës për të gjithë,” shtoi Craighead.

“Ashtu si çdo komunitet fetar, as Krishterimi nuk është një bllok homogjen, dhe shumë të krishterë në Seattle nuk ndajnë bindjet e shprehura nga organizatorët e tubimit MayDay.”

Zyra e Harrell-it gjithashtu publikoi deklarata mbështetëse nga disa udhëheqës fetarë të qytetit, të cilët gjithashtu dënuan pikëpamjet “plot urrejtje” të MayDay USA.

Policia e Seattle-it arrestoi 23 persona të shtunën nën akuza për sulm dhe pengim të policisë, përfshirë të paktën dy pjesëtarë të njohur të antifa-s.

Udhëheqësit e MayDay USA i thanë KOMO News se asnjë nga anëtarët e tyre nuk u arrestua dhe “asnjë person nga lëvizja jonë nuk ishte i dhunshëm.”

Në një deklaratë të përbashkët të shpërndarë me Washington Examiner, grupet kundërprotestuese Radical Women Seattle dhe Freedom Socialist Party of Seattle thanë se “mbrojtja e zjarrtë” e komunitetit LGBT u “njollos nga veprimet agresive të policisë së Seattle-it.”

Pas arrestimeve, FSP Seattle falënderoi shokët e tyre që “u përballën me fanatikët dhe mbrojtësit e tyre me shkopinj,” duke iu referuar forcave të rendit.

“Pavarësisht retorikës antikomuniste të kryebashkiakut, ne qëndruam së bashku si antifashistë krenarë,” deklaroi grupi socialist me qendër në Seattle.

Të dyja organizatat i bënë thirrje ndjekësve të tyre të kontaktojnë me qytetin dhe të kërkojnë heqjen e të gjitha akuzave ndaj të arrestuarve.

Një gjyqtar më pas gjeti bazë ligjore për arrestimin e vetëm tetë personave, dhe vetëm një prej tyre, i akuzuar për sulm dhe grabitje, duhej të paguante një garanci prej 20,000 dollarësh, sipas KOMO News. Të dyshuarit e tjerë u liruan.

Tetë arrestime të tjera të lidhur me sulmin ndodhën të martën gjatë demonstratave të dyanshme në bashkinë e Seattle-it, sipas policisë.