Chelsea kompleton transferimin e mesfushorit nga Sportingu Lisbonës

Chelsea ka njoftuar se Dario Essugo ka konfirmuar transferimin e tij nga Sporting Lisbona dhe ka nënshkruar një marrëveshje deri në vitin 2033.

Essugo është bërë transferimi i parë i Chelseat në atë që pritet të jetë një verë e ngarkuar për ta në afatin kalimtar veror.

Mesfushori ka kompletuar transferimin nga Sportingu dhe tani mund ta bëjë debutimin e tij në Kupën e Botës për Klube.

“Chelsea është e kënaqur të konfirmojë transferimin e Dario Essugo nga Sporting Lisbona.

Mesfushori, i cili kaloi sezonin e kaluar në huazim tek Las Palmas në La Liga dhe luan për grupmoshat U21 të Portugalisë, ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2033.

Essugo e nisi karrierën e tij në akademinë e Sportingut dhe u bë lojtari më i ri ndonjëherë që paraqitet për klubin, kur bëri debutimin e tij në moshën 16-vjeçare ndaj Vitoria Guimaraes në mars të 2021.

Më vonë gjatë atij viti, ai e theu rekordin e Luis Figos si titullari më i ri për Sportingun në moshën 16-vjeçare, 11 muaj dhe 17 ditë”, thuhej në njoftimin e Chelseat.

“Blutë” e Londrës kanë shpenzuar një shumë prej 22.3 milionë eurosh për Essugon dhe ai pritet të ketë një rol të rëndësishëm nën urdhrat e Enzo Marescas sezonin e ardhshëm.