Mbretëria e Bashkuar ndalon cigaret elektronike njëpërdorimshe për të mbrojtur të rinjtë dhe mjedisin

Një ndalim gjithëpërfshirës për cigaret elektronike njëpërdorimshe hyri në fuqi në Mbretërinë e Bashkuar këtë të diel, duke ndaluar shitjen e tyre në të gjitha format – me apo pa nikotinë – në përpjekje për të mbrojtur të rinjtë, për të reduktuar ndotjen dhe për të kufizuar përhapjen e kimikateve të dëmshme në mjedis.

Masa e qeverisë britanike vjen pas lëvizjeve të ngjashme në vende si Belgjika dhe Australia, të cilat kanë marrë hapa të fortë për të frenuar përdorimin në rritje të këtyre produkteve.

Nga tani, çdo shitës me pakicë – qoftë online apo në dyqan – ndalohet të tregtojë cigare elektronike njëpërdorimshe, ndërsa lejohen vetëm ato të ripërdorshme.

Ky vendim pason shqetësimet për përdorimin masiv të këtyre produkteve nga fëmijët dhe adoleshentët, sidomos në shkolla, si dhe për ndikimin e tyre të madh në ndotjen e mjedisit.

Sipas vlerësimeve, deri në pesë milionë cigare të tilla hidhen çdo javë në koshat e plehrave ose në rrugë në gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Pavarësisht përpjekjeve për riciklim, procesi i çmontimit të tyre është i ndërlikuar, dhe bateritë e brendshme përbëjnë rrezik zjarri dhe ndotjeje, duke i bërë këto produkte një burim serioz i ndotjes urbane.

Departamenti për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale deklaroi se ndalimi synon t’i japë fund “rritjes alarmante të përdorimit në shkolla dhe ortekut të mbeturinave që përmbytin rrugët e vendit”.

Bizneseve iu dhanë gjashtë muaj për të shitur stoqet ekzistuese dhe për t’u përshtatur me ligjin e ri.

Tregtarët që shkelin ndalimin rrezikojnë gjoba deri në 200 £ për shkeljen e parë, dhe më pas gjoba të pakufizuara apo burgim në rast përsëritjeje.

Ndërkohë, Shoqata e Industrisë së Avullimit paralajmëroi për “pasoja të paparashikuara”, duke shprehur shqetësimin se ndalimi mund të kthejë ish-duhanpirësit drejt cigareve të djegshme ose drejt alternativave të parregulluara.

“Ky vendim mund të dëmtojë përparimin në reduktimin e duhanit në vend”, deklaroi drejtori i saj, John Dunne.

Në një tjetër hap rregullator, qeveria po shqyrton kufizime shtesë mbi paketimin, marketingun dhe aromat e cigareve elektronike, për të ulur më tej tërheqjen që ato kanë tek të rinjtë.