Bessent: Tensionet tregtare kino-amerikane mund të zgjidhen pas telefonatës Trump-Xi

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent sugjeroi sot se tensionet tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës mund të zgjidhen pas një telefonate midis presidentëve Donald Trump dhe Xi Jinping, e cila mund të zhvillohet “shumë shpejt”.

I përfshirë në një betejë ligjore për tarifat e tij, Donald Trump rindezi tensionet tregtare me Kinën të premten duke akuzuar Pekinin se nuk po respekton kushtet e marrëveshjes së uljes së tensioneve të negociuar midis dy vendeve më 12 maj në Gjenevë.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kishin arritur një marrëveshje për të pezulluar përkohësisht përshkallëzimin tregtar që kishte rritur tarifat për produktet amerikane në 125% dhe ato për produktet kineze në 145%.

Pas dy ditësh takimesh, Uashingtoni dhe Pekini ranë dakord të ulin përkohësisht tarifat e tyre në 30% dhe 10% përkatësisht, duke u zotuar të vazhdojnë diskutimet drejt një marrëveshjeje tregtare.

“Kina po mban produkte që janë thelbësore për zinxhirin e furnizimit të Indisë dhe Evropës dhe kjo nuk është ajo që bën një partner tregtar i besueshëm. Jam i bindur se kur presidenti Trump dhe Xi të flasin, kjo mund të zgjidhet”, tha Bessent në një intervistë me CBS.

Sipas ”Wall Street Journal”, problemi rrjedh nga ritmi i ngadaltë i Kinës në dhënien e licencave të reja të eksportit për metale të rralla dhe komponentë të tjerë të nevojshëm për gjysmëpërçuesit dhe automobilat.

“Fakti që Kina po mban disa nga produktet që ajo ra dakord të furnizonte në marrëveshjen tonë mund të jetë për shkak të një të mete në sistemin kinez ose ndoshta është e qëllimshme. Do të shohim se çfarë do të ndodhë pasi Trump të flasë me Xi Jinping”, shtoi Bessent, duke iu referuar çështjes së mprehtë të metaleve të rralla.

I pyetur se kur do të takoheshin Trump dhe Xi, sekretari i Thesarit u përgjigj “mendoj se do të shohim diçka shumë shpejt”.

“Mendoj se ata (Kina) thjesht po marrin kohë për të zbatuar marrëveshjen… Po ndërmarrim disa hapa për t’u treguar atyre se si ndihemi për këtë”, shtoi Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick në një intervistë tjetër televizive. “Presidenti ynë e di se çfarë duhet të bëjë dhe do të gjejë një zgjidhje, jam i bindur për këtë”, shtoi ai.