Festa pa Zëra Fëmijësh — Por me Animatorë që Mbysin Heshtjen e Dhimbjes
Arrijnë në këtë botë me dritë në sy, trupa të brishtë pafajësie, duar që shtrihen drejt jetës, zemra të hapura si agimi.
Çdo fëmijë lind me një univers mundësish: të qeshë, të dojë, të mësojë, të rritet __Të mbajë të gjallë flakën e jetës.
Foshnja nuk njeh urrejtje, nuk ka frikë, nuk sjell dhunë; këto ua mësojmë ne, të rriturit, shoqëria.
Dhe sot, në këtë ditë kushtuar fëmijëve, pyes: Çfarë bote po ndërtojmë për ta?
Fëmijët tanë rriten gjithnjë e më vetëm. Jo gjithmonë pa prindër biologjikë, por pa praninë e tyre të vërtetë, pa mbrojtje, pa dashuri reale. Dhe para se t’u mësojmë të flasin, u dhamë në dorë pajisjen që ua mbylli gojën, ua fiku sytë dhe po ju grabit fëmijërinë.
Po rrisim një brez jetimësh digjitalë- me sy të ndezur nga ekrani, por zemër të fikur.
Shoqëria moderne, e zhytur në rehati, e mbytur në teknologji, krenare për “përparimin” e saj, po shkatërron në heshtje të ardhmen e vet. Dhe e bën këtë me një normalitet që të të pa frymë.
Jemi bërë mësues të shpërqendrimit, të apatisë dhe, më e keqja, të braktisjes emocionale.
Fëmijët lindin të plotë, por rriten të plagosur.
Na pëlqen të quhemi modernë. Kemi teknologjinë e përparuar, informacion i pafund, shtëpi të ngrohta, ushqim të paketuar, dado virtuale, mësues digjitalë.
Asnjëherë më parë prindërit nuk kanë ditur kaq shumë, por kuptojnë kaq pak për atë çfarë do të thotë të rritësh një fëmijë!
“Ne nuk jemi qenie njerëzore që përjetojnë një përvojë shpirtërore; ne jemi qenie shpirtërore që përjetojnë një përvojë njerëzore.” nënivizonte Pierre Teilhard de Chardin, e megjithatë, fëmijët trajtohen si objekte: të programueshëm, të zëvendësueshëm, të manipulueshëm.
Kapur në grackat e rrjeteve sociale, prindërit nuk arrijnë të ndjejnë përlotjen e heshtur të fëmijës përkrah tyre.
U besojmë verbërisht institucioneve dhe ua dorëzojmë fëmijët sistemeve, sikur të ishin thjesht dokumente. E kur ndodhin tragjedi, themi: “Ç’të bëjmë?!”
Presim që shoqëria, shkollat, vaksinat, mjekët, teknologjia të bëjnë prindërimin që natyra e ka besuar tek ne.
Paradoksi i Prindërimit në Kohët Moderne
Në emër të "modernitetit", kemi humbur instinktin tonë natyror dhe më të shenjtë: instinktin për të qenë prind.
Nëna luaneshë rrezikon jetën për këlyshët e saj, pa menduar dy herë. Shqiponja i mëson të vegjlit të fluturojnë.
E ne? Cilin justifikim kemi ne, kur as kafshët nuk do ta pranonin këtë?
Njeriu i sotëm, i lind fëmijët, por nuk di t’i rrisë - delegojmë prindërimin tek tabletët dhe çerdhet.
Prindërit ikin. Mpihen. Dhe pastaj çuditen pse fëmijët vuajnë nga ankthi, sëmundje të ndryshme, shpërthime agresiviteti apo nga një ndjenjë e thellë boshllëku.
Problematika nuk shfaqet vetëm në shëndetin fizik. Është emocionale, psikologjike, morale.
Psikologët paralajmërojnë për një emergjencë të shëndetit mendor te fëmijët, por mungon dora që ndihmon, mungon zëri që ndërgjegjëson dhe në shumë familje, kjo plagë mbulohet me turp e heshtje.
- U japim tabletë në vend të përqafimeve. Internet në vend të lidhjes njerëzore. Kontroll në vend të dashurisë.
- I mpijmë me zbavitje në vend që t’ua ushqejmë shpirtin me ngrohtësi, kuptim dhe orientim.
- Krijojmë stres në vend të sigurisë.
- Rrisim mendje të lodhura dhe zemra të thyera dhe e quajmë përparim.
Kjo nuk është më vetëm një çështje sociale. - Kjo është një krizë shpirtërore.
SKENË GËZIMI APO HIJE TRISHTIMI — ÇFARË PO FESTOJMË REALISHT?
Sot është Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve dhe si çdo vit tjetër, festohet mes tullumbacesh, fjalimesh, konferencash “strategjike” dhe “angazhimesh” që nuk ndryshojnë asgjë!
Për mua, çdo ditë duhet të jetë Dita e Fëmijëve. Sepse nëse kujdesi për ta ekziston vetëm më 1 Qershor, ai nuk ka ekzistuar kurrë.
Pas tullumbaceve dhe fjalimeve fshihet një e vërtetë brutale që pak e thonë me zë:
Po kryejmë një krim të heshtur dhe të vazhdueshëm ndaj fëmijëve tanë.
Nuk është ekzagjerim. Nuk është dramë. Është realitet i ftohtë dhe i pamohueshëm.
Fëmijët po vuajnë; trupa të helmuar, mendje të thyera, shpirtra të copëtuar, ndërkohë që shoqëria mbyll sytë:
Në çerdhe a kopshte, qindra fëmijë sëmuren nga neglizhenca dhe korrupsioni, por askush nuk mbahet përgjegjës.
Në institucione shtetërore, jetimët abuzohen — rrihen, lihen të uritur, heshten — nga ata që duhej t’i mbronin.
Dhuna është gjuha e fëmijëve të braktisur emocionalisht, mendërisht, shpirtërisht.
Prindërit ua dorëzojnë fëmijët të tjerëve, sistemeve të thyera dhe e quajnë këtë prindërim!
Shkollat janë kafaze të mbipopulluara ku fëmijët mësojnë të kenë frikë, jo të duan.
Shëndeti mendor? As që pranohet. Traumat shpesh fshihen nën qilimin e heshtjes, maskohen me gënjeshtra, ose varrosen nën një indiferencë që të ngrin gjakun.
Ky është një masakrim i fshehur përpara syve tanë — një gjenocid i pafajësisë fëmijërore, një vjedhje e shpresës.
Dhe megjithatë, sot festojmë. Flasim për të drejta, për të ardhmen, për premtime të bëra.
Të jemi të qartë:
Nuk kemi vetëm një krizë politike — kemi një krizë prindërimi.
Sistemi arsimor po dështon — por para tij janë tronditur themelet e familjes.
Fëmijët nuk janë të humbur — janë të braktisur.
Në vend të lojës së lirë dhe zërit të vërtetë të fëmijëve, kemi skenarë të stisur, zhurmë të drejtuar, e animatorë që bëjnë sikur janë fëmijëria vetë.
Dekada më parë Erich Fromm paralajmëronye: “Forma më e rëndësishme dhe e neglizhuar e dashurisë është dashuria prindërore.”
E megjithatë, prindërit sot:
U japin ekrane për t’i qetësuar — dhe e quajnë “argëtim.”
Përdorin frikën në vend që të ndërtojnë autoritet të vërtetë.
Ngatërrojnë dashurinë me blerjet.
Ngatërrojnë përgjegjësinë me kontrollin.
“Asnjëherë mos dysho, thoshte Margaret Mead, se një grup i vogël njerëzish të mençur dhe të përkushtuar nuk mund ta ndryshojë botën. Në fakt, ata janë të vetmit që e kanë bërë. “
Por ku janë ata njerëz sot? Pse kanë heshtur zërat e ndërgjegjes?
Le ta pranojmë:
- Shumë prindër sot janë makineri biologjike.
Riprodhojnë, por nuk rrisin. Reagojnë, por nuk reflektojnë.
Janë të lodhur, të shpërqendruar, të humbur në betejat e tyre të përditshme.
Nëse nuk e ndryshojmë këtë realitet, nesër do të kemi një shoqëri pa zemër — dhe pa të ardhme.
Nuk mund të fshihemi më, pas rehatisë, teknologjisë, ose burokracisë.
Nuk mund të themi: “Nuk është faji im” ose “S’kam çfarë bëj.”
Faji është yni — i shoqërisë, i komunitetit, i prindërve.
I kemi zhgënjyer fëmijët.
- Kemi ndërtuar mure neglizhence dhe heshtjeje rreth dhimbjes së tyre.
- Kemi zgjedhur rehati në vend të kujdesit.
- Kemi ndërruar dashurinë me shpërqendrimin.
Dhe tani, plagët janë të thella, dhe shenjat duken në çdo fëmijë që nuk di më të qeshë.
Fëmijët po treten ngadalë me heshtjen tonë.
Helmohen nga neglizhenca, abuzohen në hije, harrohen në emër të "jetës së zënë".
Kjo nuk është një tragjedi e fatit. - Është krimi i mosveprimit.
Të duash një fëmijë nuk do të thotë t’i blesh lodra apo të festosh një herë në vit.
- Do të thotë prani.
- Do të thotë sakrificë.
- Do të thotë kurajo për të vepruar, për të mbrojtur, për të luftuar për të drejtën për fëmijëri - Jo më gënjeshtra. Jo më maska.
Fëmijët janë pasqyra jonë më e kthjellët.
Çfarë shohin tek ne? Çfarë ndiejnë?
Nëse nuk dimë të duam, si do dimë t’i mësojmë?
Në fund të ditës, nuk mbeten lodrat, as festimet. Mbetet përqafimi i vërtetë, ai veshi i hapur që i dëgjon, zemra që di t’i ndjejë.
Nuk ka më kohë për pritje. O tani o kurrë. Ndryshe, do të jemi ne, fajtorët e shkatërrimit më të madh të kësaj epoke — humbjes së fëmijërisë.
Sepse fati i brezit të ardhshëm varet nga kurajoja që tregojmë sot.
Le të jetë ky betimi ynë i ri:
- Të rrisim fëmijët me dashuri, përgjegjësi dhe vëmendje.
Sepse vetëm kështu, do mund sërish shpresa të lulëzojë në këtë tokë.