Erdogan zhvilloi bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ku në qendër të diskutimeve ishte procesi i negociatave për paqe midis Ukrainës dhe Rusisë.

Sipas një deklarate zyrtare nga Drejtoria e Komunikimit e Presidencës Turke, biseda u përqendrua në përgatitjet për raundin e dytë të bisedimeve që pritet të zhvillohet më 2 qershor në Stamboll.

Erdogan theksoi se Turqia po angazhohet aktivisht për të ndihmuar në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme mes palëve ndërluftuese.

Ai shprehu kënaqësinë për atmosferën pozitive të krijuar gjatë raundit të parë të bisedimeve, mbajtur më 16 maj, si dhe për përfundimin e suksesshëm të një shkëmbimi të burgosurish në një kohë relativisht të shkurtër.

Kreu i shtetit turk theksoi rëndësinë e mbajtjes së momentit pozitiv që ka krijuar faza e parë e dialogut dhe nënvizoi se një vendim i mundshëm për armëpushim në raundin e dytë do të përbënte një hap të rëndësishëm drejt ndaljes së konfliktit.

Erdogan shtoi gjithashtu, nevojën për një pjesëmarrje të fuqishme dhe konstruktive nga të dyja delegacionet, për të garantuar vijimësinë dhe efektivitetin e procesit negociator.