S’ka armëpushim në Gaza, Bilali: Emergjente, të ndalet lufta! Ende s’ka një platformë të një paqeje të përhershme

Diplomati dhe ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, Lutfi Bilali, në një intervistë për “Ora News” analizoi situatën e rëndë njerëzore dhe humanitare në Gaza dhe diskutimet më të fundit për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, ku Tel Avivi duket se ka dhënë një dritë jeshile për një marrëveshje të tillë, por që ka hasur në rezistencën e Hamasit.

Bilali bëri me dije se Hamasit i është dhënë kohë deri të shtunën.

“Afati për një përgjigje është deri nesër, koha nuk është përcaktuar, por flitet mes orës 13:00 dhe 16:00, por vlerësoj se Hamasit nuk i kanë mbetur shumë mundësi.

Interesante është që deri tani ende nuk ka një platformë të një paqeje të përhershme dhe këtu mesa duket Hamasin e ka problemin.

Meqënëse këto janë bisedime mes SHBA-së dhe Hamasit dhe jo me Izraelin, siç ishin në Katar, dhe besoj se kjo mund të arrihet shumë shpejt, besoj se javën e ardhshme sa të bëhen dhe disa koncensione do të ketë diçka konkrete.

Por ajo çfarë ka më shumë rëndësi në këtë moment është që të ndalet lufta dhe të bëhet një armëpushim dhe të hyjnë ndihmat humanitare.

Këto janë më të rëndësishmet për momentin, të shpëtohet jeta e njerëzve.

Ndaj mendoj se presioni tek të dyja palët e përfshira në luftë duhet të jetë në këto dy pika.

Dhe pastaj mund të dilet tek ato që Presidenti Macron e shpreh që është obligim moral e politik, humanitar dhe njerëzor njohja e shtetit të Palestinës, dhe në këtë drejtim izraelitët e cilësojnë si një kryqëzatë të re të evropianëve kundër hebrenjve”, theksoi diplomati dhe ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, Lutfi Bilali.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME DIPLOMATIN LUTFI BILALI