Gjykata e Apelit në Shtetet e Bashkuara: Tarifat e Trump mund të mbeten në fuqi
Gjykata e Apelit në Shtetet e Bashkuara ka vendosur që tarifat e importit të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump të mbeten në fuqi për momentin, pavarësisht një vendimi të mëparshëm që i shpalli ato të paligjshme.
Ky vendim erdhi pas një kërkese nga Shtëpia e Bardhë për të pezulluar përkohësisht urdhrin e gjykatës më të ulët, e cila kishte ardhur në përfundim se lideri amerikan kishte tejkaluar kompetencat me vendosjen e këtyre tarifave.
Vendimi i Gjykatës së Tregtisë Ndërkombëtare, i dhënë të mërkurën, kishte shkaktuar reagime të forta nga zyrtarët e administratës Trump, të cilët e cilësuan atë si një shembull të tejkalimit të kompetencave gjyqësore. Tarifat në fjalë përfshijnë ato të vendosura në muajin shkurt ndaj mallrave kineze, meksikane dhe kanadeze, të cilat 78-vjeçari i kishte justifikuar si masa kundër kontrabandës së fentanilit.
Gjithashtu, përfshihen edhe një taksë e përgjithshme importi prej 10 për qind dhe tarifa reciproke më të larta për partnerët tregtarë si BE-ja dhe Kina. Me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit, këto tarifa do të vazhdojnë të aplikohen deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Seanca e radhës gjyqësore është caktuar për 5 qershor.
