Ramabaja: Sjellja e politikës së Kosovës produkt i një shkolle servilizmi, deputetët i frikësohen votimit të fshehtë

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për "Ora News", drejtori i Institutit Shqiptar për Gjeopolitikë, Sadri Ramabaja, komentoi bllokimin e votimit për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë situatë si pasojë të një “shkolle të servilizmit politik” që ka prodhuar politikanë të papërgjegjshëm dhe të frikësuar nga demokracia.

" U zhvillua sot vazhdimi i seancës së parë që nuk po përfundon dot për të 23-tën herë që për objektiv kishte votimin e kryesisë së Kuvendit, respektivisht kryetarit të Kuvendit, në radhë të parë komisionit të fshehtë që do të mbarshtronte këtë votim.

Për fat të keq po vazhdon bllokimi. Është shumë e qartë, atë që nuk e kishin thënë deputetët në sallën e Kuvendit, as në hollin e tij ku defilojnë me deklaratat politike pas përmbylljes formale nga ana e kryesuesit. Kjo sjellje e politikës së Kosovës duket se është produkti i një shkolle të servilizmit politik të kultivuar për vite të tëra. Shkolla e servilizmit politik nuk kishte si mos të prodhonte edhe politikanë të papërgjegjshëm dhe servil. Ata i frikësohen demokracisë, lirisë dhe votimit të fshehtë. Deri këtu ka shkuar absurditeti", u shpreh Ramabaja.