Trupa të pajetë gjenden në një varkë në Alaskë/ Dyshohet se i përkasin një familjeje të zhdukur që nga gushti
Një varkë me trupa njerëzish është gjetur në brigjet e Alaskës. Raportohet se anija u zhduk një vit më parë pasi Roja Bregdetare e SHBA-së pezulloi kërkimet. Sipas një deklarate të lëshuar nga Departamenti i Sigurisë Publike i Alaskës, varka u gjet pasi tre kompani private përfshirë një që përdor pajisje për kërkim nënujor, ofruan në prill të ndihmojnë në kërkimin e familjes, e cila është me origjinë nga Teksasi.
Autoritetet thanë se varka e zhdukur së bashku me trupat u gjet në një thellësi prej 55 metrash në Gjirin Kachemak pranë Homerit. Zhytësit raportuan se nxorën trupat e tre personave nga anija e fundosur gjatë zhytjeve të martën dhe të mërkurën.
Trupat u dërguan në zyrën e mjekut ligjor shtetëror për autopsi dhe identifikim, sipas departamentit të sigurisë publike, i cili nuk specifikoi se sa kohë do të duhej për t'i identifikuar ato. Familja e zhdukur nga Troy, Teksas, përbëhej nga Mary Maynard, 37 vjeçe, dhe David Maynard, 42 vjeç, së bashku me djemtë e tyre Colton, 11 vjeç, dhe Bradley, 8 vjeç.
Rojet Bregdetare të SHBA-së njoftuan në atë kohë se kërkimet për familjen filluan në gusht, pas një raportimi për ujë që kishte hyrë në një varkë 8.5 metra të gjatë që transportonte tetë persona. Roja Bregdetare njoftoi anijet e tjera që kalonin aty, njëra prej të cilave shpëtoi katër persona.
Roja Bregdetare kontrolloi Gjirin e Kachemakut dhe u përpoq të gjente familjen, por nuk pati sukses dhe natën tjetër kërkimi u pezullua. Christi Wells, një mikeshë e të ndjerës Mary Maynard, tha se familjes i pëlqente të kalonte kohë me miqtë dhe familjen dhe të udhëtonte.
