Formula 1/ ‘Pole position’ dhe rekord për Norris në Montekarlo, ‘ringjallet’ Ferrari me Leclerc

Lando Norris me McLaren siguroi “pole position” në pistën qytetase të Montekarlos, i vlefshëm për garën e Çmimit të Madh të Monakos në Formula 1.

Piloti britanik vendosi kohën rekord 1’09”954.

Ai do ta ndajë vijën e parë të startit me pilotin vendës Charles Leclerc, që u rendit i dyti me Ferrari në pistën e shtëpisë.

Një paraqitje e mirë e “kokëkuqes”, por që s’mjaftoi për të siguruar “pole”.

Në vendin e tretë u rendit makina tjetër McLaren, ajo e kryesuesit të botërorit, australianit Oscar Piastri.

Në krah të tij do të jetë makina tjetër Ferrari, ajo e Lewis Hamilton.

Në vendin e pestë u rendit Max Verstappen me Red Bull.

Provat e sotme u vendosën nga një xhiro e jashtëzakonshme e Norris.

Mbeti disi i zhgënjyer Leclerc, që pasi kishte dominuar në tri sesionet e lira u detyrua të kënaqej me vendin e dytë.

Gjithsesi, strategjia me 2 ndalesa pritet ta bëjë interesante garën.

Zhgënjyen dy makinat Mercedes, në vendet 14-15 me George Russell (pati problem teknik) dhe Kimi Antonelli (u përplas).

Në “top-10” edhe Isack Hadjar, Fernando Alonso, Esteban Ocon, Liam Lawson dhe Alexander Albon.