Napoli, ofertë konkrete për De Bruyne, kontratë dyvjeçare dhe...

Tifozët e Napolit mund të nisin të ëndërrojnë me sy hapur.

Në pritje për të mësuar nëse fanella e re do të mbajë edhe një tjetër stemë kampioni në gjoks, klubi ka bërë një lëvizje të fuqishme në merkato: një ofertë zyrtare për Kevin De Bruyne.

Sipas raportimeve nga Italia, presidenti Aurelio De Laurentiis ka dhënë dritën jeshile për të përshpejtuar tratativat me ‘yllin’ belg, i cili në fund të sezonit do të largohet nga Manchester City si lojtar i lirë, pas 10 vitesh të lavdishme në "Etihad".

Napoli u ka paraqitur përfaqësuesve të De Bruyne një ofertë konkrete: kontratë dyvjeçare me pagë prej 5 milionë eurosh neto në sezon, me opsion për një vit të tretë.

Një shifër që shkon përtej tavaneve të zakonshme të pagave te skuadra “azzurre”, por që sipas De Laurentiis është e justifikuar për një lojtar të këtij niveli.

De Bruyne, i cili ka refuzuar idenë e një kontrate afatshkurtër me City-n për të marrë pjesë në Kupën e Botës për Klube, është i vetëdijshëm se kjo mund të jetë etapa e fundit e karrierës së tij në nivele të larta dhe po e shqyrton me kujdes ofertën napolitane, një nga më tërheqëset që ka marrë deri tani.

Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, belgu e ka dhënë parimisht miratimin për t’u bashkuar me Napolin, por do të marrë kohën e nevojshme për të analizuar alternativat e tjera, përfshirë Liverpool-in, Chelsea-n, Marseille dhe disa klube nga MLS.

Ndërkohë, sipas ‘Corriere dello Sport’, edhe Juventusi ka tentuar të hyjë në garë, duke kontaktuar drejtpërdrejt me lojtarin për të kuptuar nëse ka hapësirë për të ndërhyrë.

Napoli e ka bërë lëvizjen e parë, tani topi është te De Bruyne.

Dhe qyteti i Napolit, me gjithë pasionin dhe magjinë e vet, shpreson të përqafojë një nga mesfushorët më të mëdhenj të epokës moderne.