Zëdhësi i Kremlinit, Peksov: Moska do të hartojë një listë të veçantë me kushte për një a*rmëpushim në Ukrainë
Moska do të hartojë një listë të veçantë me kushte për një armëpushim në Ukrainë, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
"Nuk do t'ju them asgjë me siguri tani. Pa dyshim, do të ketë një listë të veçantë kushtesh për armëpushimin. Një marrëveshje për këtë u arrit në Stamboll", u tha ai gazetarëve, sipas Tass.
Dmitry Peskov e bëri këtë deklaratë kur iu kërkua të sqaronte nëse do të ketë një dokument të veçantë për një plan të mundshëm armëpushimi apo nëse ai do të përfshihet në një memorandum të një marrëveshjeje të ardhshme paqeje.
Rubio: "Po presim kushtet e Rusisë"
Më herët, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ia hodhi topin Moskës, duke deklaruar se pret që Rusia të paraqesë kushtet e saj për një armëpushim të mundshëm në Ukrainë "brenda pak ditësh".
"Në një moment, ndoshta së shpejti, ndoshta pas disa ditësh, ndoshta brenda një jave, pala ruse do të paraqesë kushtet që dëshiron të shohë" të përmbushura në mënyrë që të shpallet një armëpushim," tha Rubio duke iu drejtuar një komisioni të Senatit të martën.
Kreu i diplomacisë amerikane shpjegoi se afati kohor të cilit ai iu referua rrjedh si nga telefonata e Presidentit Donald Trump me homologun e tij Vladimir Putin të hënën, ashtu edhe nga biseda e tij gjatë fundjavës me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.
Moska do t'i referohet "kushteve të përgjithshme që do të na lejonin të ecim drejt një armëpushimi dhe ky armëpushim do të na lejonte më pas të fillonim negociata të hollësishme për t'i dhënë fund luftës", siguroi Sekretari i Shtetit i SHBA-së.
"Shpresojmë që kjo të ndodhë. Ne besojmë se plani që rusët do të vënë në tryezë do të na tregojë shumë për qëllimet e tyre të vërteta. Nëse është një plan veprimi realist dhe ne mund të punojmë mbi të, kjo është një gjë. Nëse përmban kërkesa që ne e dimë se janë jorealiste, mendoj se kjo do të ishte zbuluese", vazhdoi ai.
Pas bisedës me Putinin, Trump njoftoi se Rusia dhe Ukraina ishin gati të fillonin negociata “të menjëhershme” për të përfunduar një marrëveshje armëpushimi. Presidenti rus, më i kujdesshëm, tha se Rusia do të paraqiste një "memorandum" për një marrëveshje të mundshme paqeje në të ardhmen.
