Kryebashkiaku i Çikagos po hetohet pasi sugjeroi se preferon të punësojë staf me ngjyrë

Departamenti i Drejtësisë (DOJ) hapi të hënën një hetim ndaj kryetarit të bashkisë, Brandon Johnson, pas komenteve që ai bëri në një kishë, duke sugjeruar se zgjedh zyrtarë në administratën e tij bazuar në racë.

Duke folur gjatë një shërbese në Kishën Apostolike të Zotit në jug të qytetit të dielën, Johnson u tha besimtarëve: “Kur punëson njerëzit tanë, ne gjithmonë kujdesemi edhe për të tjerët.”

Ndihmësprokurorja e përgjithshme, Harmeet Dhillon, i ka dërguar një letër Johnson-it duke thënë se ajo ka “autorizuar një hetim” për të parë nëse qyteti i Çikagos është “i përfshirë në një model apo praktikë të diskriminimit racor”.

Johnson po iu përgjigjej kritikave që ai flet vetëm për “punësimin e njerëzve me ngjyrë”, duke pasur parasysh se nënkryetari, shefi i operacioneve, drejtori i buxhetit dhe të tjerë në administratën e tij janë të gjithë afro-amerikanë.

Ai tha: “Kur pyesni si sigurojmë që njerëzit tanë të kenë mundësi të zhvillojnë biznesin e tyre, duke pasur njerëz në administratën time që kujdesen për interesat e të gjithëve, dhe ‘të gjithë’ do të thotë të kujdesesh për interesat e njerëzve me ngjyrë, sepse kjo nuk ka ndodhur më parë. Kështu sigurojmë rritje të qëndrueshme afatgjatë.”

Kryebashkiaku kritikoi gjithashtu përpjekjet e administratës Trump për të “na fshirë nga historia”.

“Njerëzit me ngjyrë do të jenë këtu, në këtë qytet dhe në qytete të tjera nëpër Amerikë, duke mbrojtur këtë demokraci, duke mbrojtur njerëzimin, sepse kjo është ajo që njerëzit me ngjyrë kanë bërë gjithmonë,” tha ai.

Dhillon shkroi: “Nëse vendime të tilla për punësim po merren për pozitat më të larta në administratën tuaj, atëherë lind pyetja nëse të njëjtat praktika po zbatohen edhe për pozitat më të ulëta.”

Hetimi vjen në një kohë kur administrata Trump po përpiqet të përafrojë Departamentin e Drejtësisë me përpjekjet e saj për të goditur praktikat e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI).

Pak pasi u kthye në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për t’i dhënë fund asaj që ai e quajti programe “diskriminuese dhe të paligjshme” të DEI-së në agjencitë qeveritare, duke favorizuar emërime të bazuara në meritë.

Ai gjithashtu ka urdhëruar hetime ndaj kompanive që përdorin praktika punësimi sipas standardeve të DEI-së.

Johnson është përplasur shpesh me Trump-in, duke e quajtur presidentin një “kërcënim” për familjet me ngjyrë dhe duke sfiduar përpjekjet e tij për të dëbuar emigrantët pa dokumente, duke u zotuar se do të ruajë statusin e Çikagos si një qytet strehues.

Në shkurt, Departamenti i Drejtësisë paditi Çikagon, duke e akuzuar se “qëllimisht pengonte” oficerët e emigracionit për të ndaluar emigrantë të paligjshëm. Zyra e kryetarit të bashkisë së Çikagos është kontaktuar për koment.