FRESKI PA DËME! Kërkime për mënyra më të qëndrueshme për të ftohur mjedisin! Nga metalet tek magnetët, zgjidhjet e reja

Shkencëtarët po zhvillojnë teknologji alternative ftohjeje që shmangin përdorimin e gazrave ndotës duke synuar një të ardhme më të pastër dhe efikase. Ata po punojnë për të zëvendësuar ftohjen përmes metaleve për të ofruar freski pa kompromentuar klimën.

Në një botë që po nxehet gjithnjë e më shumë, kërkimi për mënyra më të qëndrueshme për të ftohur mjedisin sipas ekspertëve po bëhet urgjente.

Deri më sot, shumica e pajisjeve ftohëse në shtëpi, zyra dhe industri mbështeten tek hidrofluorokarbonet ose HFC, gaze sintetike të fuqishme që përkeqësojnë ngrohjen globale.

Edhe pse përdoren për të na mbajtur të freskët, ato ngrohin ndjeshëm planetin, duke qenë mijëra herë më të dëmshme për klimën sesa dioksidi i karbonit.

Ky paradoks e ka vënë ftohjen në qendër të përpjekjeve për inovacion teknologjik dhe transformim klimatik.

Ndërkohë që shumë vende kanë filluar eliminimin gradual të HFC-ve, kërkimi për zgjidhje alternative është intensifikuar.

Disa ftohës natyralë, si propani, amoniaku dhe dioksidi i karbonit, ofrojnë potencial më të ulët ndotjeje, por secili ka sfidat e veta: propani është shumë i ndezshëm, amoniaku është toksik dhe dioksidi i karbonit kërkon presione shumë të larta, çka e bën implementimin e tyre teknikisht të ndërlikuar dhe ekonomikisht të kushtueshëm.

Megjithatë, këto përpjekje janë vetëm një pjesë e historisë.

Vizioni i së ardhmes po shkon edhe më tej, drejt një epoke të re: ftohjes pa ftohës të lëngshëm fare.

Këto janë të ashtuquajturat teknologji revolucionare, që nuk përpiqen thjesht të përmirësojnë sistemet ekzistuese, por të riformulojnë krejtësisht mënyrën se si prodhojmë ftohje.

Në vend të lëndëve të rrezikshme që qarkullojnë, këto pajisje të reja përdorin materiale të ngurta që reagojnë ndaj forcave të jashtme si presioni, fusha magnetike, apo forca mekanike — për të gjeneruar ndryshim në temperaturë.

Një nga teknologjitë më premtuese është ftohja magnetokalorike, e cila përfiton nga vetia e disa metaleve që ngrohen ose ftohen kur ekspozohen ndaj fushave magnetike.

Përkrah kësaj teknologjie, edhe kompani e organizata të tjera në mbarë botën po eksplorojnë metoda të reja: nga pajisje që përdorin deformime mekanike në materiale të veçanta, te ftohja elastokalorike apo elektrokalorike — ku energjia elektrike apo forca mekanike zëvendëson funksionin e ftohësve të lëngshëm.

E ardhmja e ftohjes nuk është më një çështje luksi teknologjik, por një domosdoshmëri klimatike.