Netanyahu kundërpërgjigjet ndaj Starmer, Macron dhe Carney për kritikat ndaj Gazës

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka akuzuar udhëheqësit e Britanisë se Madhe Francës dhe Kanadasë se i kanë ofruar Hamasit një “çmim të madh” pasi ata bënë thirrje për t’i dhënë fund operacioneve të intensifikuara ushtarake në Gaza.

Kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri kanadez, Mark Carney dënuan dje përshkallëzimin “e egër” të qeverisë izraelite në Gazë, duke paralajmëruar për “veprime konkrete” nëse Netanyahu nuk ndryshon kurs.

Por, kryeministri izraelit tha se vendi i tij do të vazhdojë për “fitore të plotë” ndaj Hamasit. Në një deklaratë të përbashkët, Starmer, Macron dhe Carney thanë:

“Nëse Izraeli nuk e ndal ofensivën e ripërtërirë ushtarake dhe nuk heq kufizimet e tij për ndihmën humanitare, ne do të ndërmarrim veprime të mëtejshme konkrete në përgjigje”, thanë në një deklaratë të përbashkët, Starmer, Macron dhe Carney.

Udhëheqësit i bënë thirrje Hamasit të lirojë pengjet që mori në “sulmin e urryer” më 7 tetor 2023. “Ne gjithmonë e kemi mbështetur të drejtën e Izraelit për të mbrojtur izraelitët kundër terrorizmit”, thanë të tre udhëheqësit. “Por, ky përshkallëzim është tërësisht disproporcional”, thanë Starmer, Macron dhe Carney.

“Duke i kërkuar Izraelit të përfundojë një luftë mbrojtëse për mbijetesë përpara se terroristët e Hamasit të shkatërrohen – dhe duke kërkuar një shtet palestinez, udhëheqësit në Londër, Otavë dhe Paris po ofrojnë një çmim të madh për sulmin gjenocidal ndaj Izraelit më 7 tetor, ndërsa ftojnë më shumë mizori të tilla”, tha Netanyahu duke u kundërpërgjigjur.

“Lufta mund të përfundojë nesër nëse pengjet e mbetura lirohen, Hamasi lëshon armët, udhëheqësit e tij vrasës dëbohen dhe Gaza demilitarizohet”, tha ai.

“Kjo është një luftë qytetërimi mbi barbarizmin. Izraeli do të vazhdojë të mbrohet me mjete të drejta derisa të arrihet fitorja totale”, shtoi Netanyahu.