Ministrat e BE-së diskutojnë luftën në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe kapacitetet mbrojtëse
Ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të Bashkimit Evropian do të takohen sot në Bruksel – për të diskutuar luftimet e vazhdueshme në Ukrainë, aftësitë mbrojtëse të bllokut dhe tensionet në rritje në Lindjen e Mesme.
Ministrat e Jashtëm do të nënshkruajnë zyrtarisht paketën e 17-të të sanksioneve të BE-së ndaj Moskës për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, duke synuar të ashtuquajturën “flotën hije” të Rusisë.
Këto anije shpesh të pasiguruara me pronësi të paqartë – e ndihmojnë Moskën të shmangë kufizimet perëndimore të çmimeve të naftës.
Parashikohen sanksione, të tilla si ndalimet e hyrjes në BE dhe ngrirja e aseteve.
Ekzistojnë gjithashtu plane për të shënjestruar disa dhjetëra kompani që janë të përfshira në anashkalimin e sanksioneve të Rusisë.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha pritet të diskutojë me homologët e tij të BE-së me anë të lidhjes me video, pasi negociatat midis të dërguarve ukrainas dhe rusë për një armëpushim të propozuar nga Kievi nuk arritën të jepnin rezultate konkrete.
Ministrat e Jashtëm do të diskutojnë zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, përfshirë Rripin e Gazës dhe Sirinë.
Ministrat e Mbrojtjes do të fillojnë me një diskutim mbi mbështetjen ushtarake të BE-së për Ukrainën e shkatërruar nga lufta.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov do t’i bashkohet konsultimeve me anë të lidhjes me video, ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte pritet t’i bashkohet personalisht bisedimeve në Bruksel.
Ministrat e Mbrojtjes do të diskutojnë gjithashtu se si të përmirësohen kapacitetet mbrojtëse të BE-së dhe të rriten shpenzimet ushtarake, duke përfshirë një propozim për një fond mbrojtës prej 150 miliardë eurosh (169 miliardë dollarë).

