VIDEO/ Historike për Crystal Palace, mund Man.City në finalen e FA Cup dhe fiton trofeun e parë madhor

Crystal Palace ka fituar trofeun e parë madhor në historinë e tyre si klub, pasi mposhtën në finalen e FA Cup në “Wembley”, Manchester City-n, me rezultatin e ngushtë 1-0.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 16-të, ku Eberechi Eze shënoi pas një aksioni spektakolar të Crystal Palace dhe asistit të Munoz.

Në minutën e 35-të, Manchester City pati shansin e artë të barazonte shifrat pasi Bernardo Silva u pengua brenda zonës dhe arbitri akordoi penallti, por Omar Marmoush gaboi nga 11-metrat. Goditja e egjiptianit pritet nga Dean Henderson.

Në minutën e 58-të, Crystal Palace gjeti rrjetën sërish, por goli i shënuar nga Daniel Munoz u anullua pas ndërhyrjes së VAR, për pozicion jashtë loje.

Pati protesta të ashpra nga stafi i Crystal Palace, por pamjet e publikuara i japin të drejtë vendimit të arbitrit.

Në minutat e mbetura, pati disa përpjekje nga ana e “Qytetarëve” për të gjetur golin e barazimit, por nuk ia dolën dot. Rezultati përfundimtar 1-0.


Manchester City e mbyll pa asnjë trofe këtë sezon si rrallëherë në dekadën e fundit, ndërsa e gjithë festa është për Crystal Palace, e cila festoon me plot meritë trofeun e parë në histori.