E-filing: Deklarimi elektronik i TVSH-së do të paraplotësohet nga sistemi fiskalizimit
Drejtoria e Tatimeve ka njoftuar një shërbim të ri në sistemin E-filing, që lidhet me paraplotësimin e deklaratës së TVSH-së. Në deklarimin elektronik të TVSH-së do ofrohet paraplotësimi i rubrikave të deklaratës me të dhënat nga librat e shitjes dhe blerjes nga sistemi i fiskalizimit!
Tatimet kanë sqaruar se të dhënat e paraplotësuara janë të ndryshueshme dhe mund të korrigjohen! Tatimpaguesi duhet ta dorëzojë deklaratën brenda datës 14 të muajit pasardhës të periudhës që po deklarohet!
Sipas tatimeve, ky zhvillim efektiv, duke filluar nga periudha deklaruese prill 2025, lehtëson procesin e deklarimit elektronik të TVSH-së duke ofruar paraplotësimin e rubrikave të deklaratës me të dhënat e transaksioneve të regjistruara në librat e shitjes dhe blerjes nga sistemi i fiskalizimit.
Paraplotesimi i të dhënave në deklaratën e TVSH-së, pra transferimi i të dhënave në rubrikat përkatëse, kryhet vetëm pasi librat e shitjes dhe blerjes të jenë dorëzuar/transferuar automatikisht nga sistemi i fiskalizimit drejt sistemit E-filing. Ky proces ndodh si në rastin kur tatimpaguesi i mbyll librat në sistemin Selfcare përpara datës 10 të muajit pasardhës, ashtu edhe në rastin kur mbyllja dhe dërgimi i librave nga SelfCare drejt E-filing kryhet automatikisht në përfundim të afatit ligjor.
Ndryshimi i librave sipas formatit Excel në sistemin E-filing, nuk do të reflektohet në ndryshim të të dhënave të paraplotësuara të deklaratës së TVSH-së, pra nuk ndryshon automatikisht rubrikat përkatëse të kësaj deklarate. Në këtë rast tatimpaguesi duhet që ndryshimet/saktësimet që ka kryer në librat e shitjes apo blerjes, t’i kryejë edhe në deklaratën e TVSH-së.
Tatimet kanë sqaruar se deklarata duhet të dorëzohet nga vetë tatimpaguesi brenda afatit ligjor të deklarimit dhe pagesës së TVSH-së, data 14 e muajit pasardhës të periudhës që po deklarohet./ Monitor
