Goditi komisionerin e PS-së në Pogradec, arrestohet 63-vjeçari

Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në Policinë e Korçës arrestuan në flagrancë për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve ne zgjedhje” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, shtetasin L. T, 63 vjeç, banues në Pogradec.

Sipas policisë “arrestimi i tij u bë, pasi më datën 11.05.2025, rreth orës 10.30, ky shtetas ka hyre në QV Nr.3901 në Pogradec, dhe ka goditur duke i shkaktuar dëmtime fizike, shtetasin E.G 52 vjeç (me detyrë anëtar komisioni i forcës politike Partia Socialiste e Shqipërisë) në këtë qendër votimi”.

Policia njoftoi se “ky shtetas e ka goditur për shkak se kryetarja e komisionit të kësaj qendre votimi, (e bija e shtetasit L.T) ka pasur një debat me anëtarin e komisionit shtetasin E. G., në lidhje me votimin e personave me aftësi ndryshe, të moshuar etj, që të votojnë ose jo me shoqërues”.

Vetë komisioneri i PS-së Enton Gega në një prononcim dha variantin e tij në lidhje me ngjarjen.

“Ishte kryetarja një çupë, në fillim i lamë të votonin dhe në trajnim kështu na thanë që do t’i lini të votojnë (personat me aftësi ndryshe).

I thashë unë, duan të vijnë të votojnë, si nuk i le, ai e ka ndarë mendjen për kë do votojë. Ajo siç erdhi shkruante atje ai vjen e më thotë mua pse më ngacmove vajzën.

Më shau dhe më goditi në vesh. E kam kallëzuar në polici. Në çdo zgjedhje kështu ka bërë gjithmonë, të njëjtën gjë. Dolëm këtu jashtë prap më shau dhe më ofendoi nga nëna.

Atë e njohin nga mamaja mua më njohin nga babai”, ka thënë Enton Gega.

Materiale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.