Macron: Propozimi i Putinit për Ukrainën jo i mjaftueshëm

Presidenti francez, Emmanuel Macron reagoi sot me kujdes ndaj propozimit të Rusisë për negociata të drejtpërdrejta me Kievin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Ky është një hap i parë, por nuk është i mjaftueshëm”, u tha Macron gazetarëve ndërsa mbërriti në Poloni në udhëtimin e tij të kthimit nga Ukraina, raportoi gazeta ”Le Monde”.

Kievi dhe aleatët kryesorë evropianë kishin kërkuar më parë një armëpushim pa kushte nga Moska duke filluar nga e hëna.

Macron e quajti kundërpropozimin e presidentit rus Vladimir Putin “një mënyrë për të mos u përgjigjur”, duke shtuar se duket të jetë një taktikë vonese.

“Ai po kërkon një rrugëdalje, por ai ende dëshiron të fitojë kohë”, theksoi Macron. ”Është e papranueshme që ukrainasit të zhvillojnë negociata, ndërsa vazhdojnë të bombardohen”, tha Macron.

“Ne duhet të qëndrojmë të vendosur me [Shtetet e Bashkuara] dhe të themi se armëpushimi është pa kushte dhe pastaj mund të diskutojmë pjesën tjetër”, shtoi ai.

Të shtunën, Macron, së bashku me kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin britanik Keir Starmer dhe kryeministrin polak Donald Tusk, vizituan Kievin.

Së bashku me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ata bënë thirrje për një armëpushim 30-ditor pa parakushte, që do të fillojë të hënën.

Në përgjigje, Putin propozoi të rifillojë bisedimet e drejtpërdrejta midis Moskës dhe Kievit pa parakushte në Stamboll që të enjten, megjithëse nuk e trajtoi drejtpërdrejt kërkesën për një armëpushim.