Bastoni ‘përulet’ para Lamine Yamal, mesazhi për të në rrjetet sociale: Je një përbindësh…
Alessandro Bastoni i ka kushtuar dy postime në rrjetet sociale ndeshjes Inter-Barcelona. I pari ishte menjëherë pas ndeshjes, i nxitur nga emocionet, me thirrjen:
"Shihemi në Mynih!" I dyti, më i ftohtë, erdhi ditën pas suksesit që çoi Interin në finalen e Ligës së Kampionëve.
Në një postim në Instagram, mbrojtësi zikaltër iu referua kundërshtarit të drejtpërdrejtë në krahun e tij, rrezikut numër një në fushë, duke i dhënë atij nderimin që meriton: Lamine Yamal.
"Vetëm tani po filloj të kuptoj çfarë arritje e pabesueshme ishte ajo që realizuam të martën. Përpjekja që bëmë në fushë ishte e jashtëzakonshme dhe u shpërblye plotësisht, madje më shumë, nga energjia e paharrueshme e tifozëve tanë.
Falënderoj çdo shok skuadre: shpirtin, urinë, zemrën. Të luftosh krah për krah me ju është ajo që e bën çdo sakrificë, që nga fëmijëria, të vlefshme. Respekt për kundërshtarët tanë, treguan forcë dhe zemër të jashtëzakonshme".
Në fund, Bastoni ndalet te Yamal, duke e përmendur me emër dhe etiketuar për t’i bërë të qartë vlerësimin e tij për talentin që ka: "Përmendje të veçantë kam për një fëmijë jashtëzakonisht të talentuar: Lamine Yamal. Je një përbindësh".

