Shumë njerëz në Evropë dhe në SHBA mendojnë se Lu*ta e Tretë Botërore mund të ndodhë pas 5 ose 10 viteve
Tetë dekada pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, hija e një konflikti të ri global duket se rëndon mbi ndërgjegjen kolektive të qytetarëve në Perëndim.
Një sondazh i fundit nga YouGov, i publikuar nga The Guardian, zbulon se shumë evropianë dhe amerikanë e konsiderojnë të mundshme një luftë të re botërore brenda dekadës së ardhshme, dhe frika nga pasojat e saj është e thellë dhe e përhapur.
Midis 41% dhe 55% të të anketuarve në pesë shtete të mëdha evropiane Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja besojnë se një luftë tjetër globale është ‘e mundshme’ ose ‘shumë e mundshme’ në 5-10 vitet e ardhshme.
Po këtë mendim ndan edhe 45% e qytetarëve amerikanë.
Të dhënat pasqyrojnë një ndjeshmëri të shtuar ndaj ngjarjeve aktuale gjeopolitike dhe kujtimeve të një lufte që ndryshoi përgjithmonë botën.
Një nga gjetjet më shqetësuese të sondazhit është besimi se një konflikt i ri botëror do të përfshijë armë bërthamore – një mendim i ndarë nga 68% deri në 76% të të anketuarve.
Nga 57% deri në 73% e qytetarëve në këto vende mendojnë se një luftë e re do të shkaktonte më shumë viktima se Lufta e Dytë Botërore, dhe një numër i konsiderueshëm – deri në 44%, shkojnë më tej, duke besuar se një konflikt i tillë mund të zhdukë shumicën e njerëzimit.
Nga 66% në Itali deri në 89% në Britani besojnë se vendi i tyre do të përfshihej në një luftë të re globale.
Por kur pyeten për aftësinë e forcave të tyre të armatosura për të mbrojtur vendin, besimi është i ulët në shumicën e Evropës Perëndimore, vetëm 16% në Itali dhe deri në 44% në Francë besojnë në efektivitetin e ushtrive të tyre.
Ndryshe qëndron perceptimi në Shtetet e Bashkuara, ku 71% e të anketuarve kanë besim në ushtrinë amerikane.
Sipas sondazhit, Rusia shihet si rreziku kryesor për shpërthimin e një konflikti global, nga 72% në 82% e evropianëve dhe 69% e amerikanëve e shohin Moskën si shkaktaren më të mundshme.
Terrorizmi islamik renditet si shqetësimi i dytë kryesor.
Megjithatë, tensionet me SHBA nuk janë pa peshë: 58% e spanjollëve, 55% e gjermanëve dhe 53% e francezëve i konsiderojnë marrëdhëniet me SHBA-në si kërcënim të madh ose të moderuar për paqen në Evropë.
Në reflektim të përpjekjeve për të ruajtur paqen pas Luftës së Dytë Botërore, shumica e të anketuarve (nga 52% deri në 66%) vlerësojnë se NATO ka luajtur rolin kryesor, ndërsa 44% deri në 60% e njohin kontributin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Po ashtu, 45% deri në 56% besojnë se BE, i krijuar si një projekt për bashkëpunim ekonomik dhe paqe afatgjatë, ka luajtur një rol thelbësor në parandalimin e një lufte tjetër botërore.
Sondazhi konfirmon se kujtimet e Luftës së Dytë Botërore vazhdojnë të kenë një peshë të madhe në ndërgjegjen kolektive të Perëndimit.
Ngjarjet e së kaluarës konsiderohen si të rëndësishme për edukimin e brezave të rinj, por gjithashtu për formësimin e qëndrimeve ndaj krizave aktuale.
Në një botë të tensionuar nga lufta në Ukrainë, ndasitë transatlantike dhe kërcënimet globale, frika nga një konflikt tjetër i përmasave botërore nuk është më thjesht spekulim, por një ndjesi reale për miliona qytetarë.
