Emiratet e Bashkuara Arabe ndërmjetësuese të konfliktit Izrael – Siri

Emiratet e Bashkuara Arabe po ndërmjetësojnë bisedime sekrete mes Izraelit dhe Sirisë, të fokusuara në çështje sigurie dhe ndërtim besimi, pas një vale sulmesh izraelite në Damask. Siria ka sinjalizuar se nuk përbën më kërcënim për Izraelin, duke ndërmarrë hapa simbolikë dhe duke dërguar një mesazh paqeje në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Emiratet e Bashkuara Arabe ndërmjetësojnë bisedime sekrete midis Izraelit dhe Sirisë, kanë bërë me dije burimet te njohura me çështjen, raporton Rojters.

Në këtë mekanizëm janë përfshirë zyrtarët e sigurisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, zyrtarët e inteligjencës Siriane dhe zyrtaret e inteligjencës Izraelite.

Bisedimet janë zhvilluar rreth çështjeve të sigurisë dhe inteligjencës dhe në ndërtimin e besimit midis dy shteteve pa një marrëdhënie zyrtare, tha një burim sigurie sirian dhe një zyrtar rajonal i inteligjencës.

Përpjekja e ndërmjetësimit ka ardhur pas sulmeve ajrore izraelite në Siri javën e kaluar, përfshirë një vetëm 500 metra larg pallatit presidencial në Damask. Izraeli i ka paraqitur sulmet si një mesazh për sundimtarët e rinj të Sirisë në përgjigje të kërcënimeve kundër Druzëve të Sirisë , një sekt minoritar që është një degë e Islamit me ndjekës në Siri, Liban dhe Izrael.

Qeveria e Sirisë i ka dënuar sulmet e Izraelit si përshkallëzim të situatës dhe ndërhyrje të huaja, dhe thotë se qeveria e re në Damask po punon për të bashkuar vendin pas 14 vitesh gjakderdhjeje.

Megjithatë sundimtarët e rinj kanë bërë gjithashtu përpjekje të përsëritura për të treguar se nuk përbëjnë kërcënim për Izraelin, duke u takuar me përfaqësues të komunitetit hebraik në Damask dhe jashtë vendit dhe duke ndaluar dy anëtarë të lartë të Xhihadit Islamik Palestinez, i cili mori pjesë në sulmin e udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Po ashtu një letër e dërguar nga ministria e jashtme e Sirisë në Departamentin e Shtetit të SHBA-së muajin e kaluar, e parë nga Reuters, thoshte "ne nuk do të lejojmë që Siria të bëhet burim kërcënimi për asnjë palë, përfshirë Izraelin".

Burimet kanë bërë me dije se ndërmjetësim joformal midis Izraelit dhe Sirisë synon qetësimin e situatës dhe është mbajtur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së situatës.