JUVENTUSI KËRKON TRAJNERIN! Objektivi, zona “Champions”, por në garë janë 10 emra
Juventus ka nisur tashmë të diskutojë se kush do të jetë trajneri pas përfundimit të sezonit në serie a. tashmë në medie qarkullojnë 10 emra, edhe pse nga zonja e vjetër thuhet se aktualisht objektivi mbetet kalimi në zonën Champions
"Champions League" është fjala kyçe në muret e Juventusit. Objektivi është i qartë: vendi i katërt, pa kompromis. Trajneri Igor Tudor dhe lojtarët janë të bashkuar për ta arritur këtë qëllim, duke sakrifikuar edhe bukurinë e lojës.
Por pavarësisht këtij uniteti në fushë, në prapaskenë ka nisur mendimi për të ardhmen. Kryeçështja mbetet: kush do të jetë trajneri i ardhshëm i "Zonjës së Vjetër"? Drejtori sportiv Cristiano Giuntoli ka filluar të mbajë shënime dhe alternativat janë të shumta.
Igor Tudor – Nëse arrin kualifikimin në Champions, fiton kredenciale për të vazhduar. Botërori për Klube do t’i jepte kohë dhe më pak presion për të ndërtuar diçka më të qëndrueshme.
Antonio Conte – Një rikthim që shumë tifozë e dëshirojnë, pavarësisht ndarjes jo të mirë me klubin. Karizma dhe mentalitet fitues, por për ta larguar nga Napoli, do duhej një përpjekje e madhe nga Giuntoli.
Roberto Mancini – Profili ndërkombëtar dhe me eksperiencë të gjerë, i lirë pas largimit nga Italia. Ofensiv dhe i qetë, mund të jetë një alternativë e ekuilibruar.
Gian Piero Gasperini – Mjeshtri i Atalantës, me një projekt afatgjatë, i njohur për punën me të rinjtë dhe modelin 3-4-2-1.
Massimiliano Allegri – U përfol pas një takimi me Chiellinin. Një tjetër rikthim i mundshëm, por do sillte përplasje me drejtuesit aktualë. Ka fleksibilitet taktik, por do sinjalizonte krizë ideje.
Luciano Spalletti – Emri i preferuar i Giuntolit, por i lidhur me Italinë. Vetëm një dështim i rëndë në kualifikueset e Botërorit mund ta lirojë.
Vincenzo Italiano – Po shkëlqen me Bolognën dhe është një alternativë në rritje. Por pas eksperiencës me Motta-n, Juve kërkon siguri dhe jo eksperimente.
Didier Deschamps – Ish-kapiteni bardhezi mund të rikthehet në Torino nëse Franca përshpejton kalimin e pankinës te Zidane. Një profil me gravitet të lartë ndërkombëtar.
Zinedine Zidane – Një ëndërr e kahershme për juventinët. Me një palmares të jashtëzakonshëm dhe ADN bardhezi, mbetet në pritje të pankinës së Francës, por një ofertë serioze nga Torino mund ta tundojë.
Enzo Maresca – Emri surprizë. Po punon mirë te Chelsea dhe ka formim nga Guardiola. I afërt me të rinjtë, por do ishte një bast tjetër i rrezikshëm.
Verdikti final? Do të merret vetëm pasi të përfundojë sezoni dhe të qartësohet pozicioni në Champions.


