Kush është Tina Peters? Donald Trump kërkon lirimin e nëpunëses së burgosur zgjedhore
Presidenti Donald Trump ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Tina Petersit, një nëpunëse zgjedhore nga Koloradoja, e cila është burgosur për ndërhyrje në pajisjet e votimit pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Duke shkruar në Truth Social të hënën, Trump tha: "Radikali i Majtë, prokurori i përgjithshëm i Kolorados, Phil Weiser, shpërfill të huajt që kryejnë krime të dhunshme si përdhunimi dhe vrasja në shtetin e tij dhe, në vend të kësaj, ka burgosur Tina Petersin, një nënë 69-vjeçare që punoi për të zbuluar dhe dokumentuar mashtrimet zgjedhore të demokratëve.
Tina është e burgosur politike e pafajshme që po dënohet padrejtësisht në formën e një ndëshkimi mizor dhe të pazakontë. Kjo është një ndjekje penale komuniste nga demokratët e majtë radikalë për të fshehur krimet dhe veprimet e tyre të paligjshme zgjedhore në vitin 2020.
E njëjta Parti Demokratike që udhëton në El Salvador për të liruar një terrorist të MS-13, po burgos mizorisht, ndoshta përjetësisht, një gjyshe, djali trim dhe heroik i së cilës dha jetën për Amerikën. Koloradoja duhet t'i japë fund këtij burgimi të padrejtë të një amerikaneje të pafajshme. Po udhëzoj Departamentin e Drejtësisë të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ndihmuar në lirimin e këtij 'pengu' që po mbahet në një burg të Kolorados nga demokratët, për arsye politike. LIRONI TINA PETERSIN, TANI!"
Tina Petersi u dënua me nëntë vjet burg në tetor 2024, duke u bërë nëpunësja e parë zgjedhore në SHBA e dënuar penalisht për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Çfarë ka bërë bëri Tina Petersi?
Në gusht të vitit 2024, Petersi u shpall fajtore për shtatë nga dhjetë akuzat që lidhen me një shkelje të sistemit zgjedhor të Kolorados në vitin 2021. Ajo u dënua për tri akuza për përpjekje për të ndikuar një zyrtar publik; komplot për të kryer falsifikim identiteti; sjellje të pahijshme zyrtare; shkelje të detyrës; dhe mospërmbushje të një urdhri nga sekretari i shtetit.
Ajo u shpall e pafajshme për tri akuza të tjera: komplot për të kryer falsifikim identiteti, falsifikim identiteti dhe vjedhje identiteti.
Gjyqi zgjati tetë ditë dhe u përqendrua në ngjarjet e majit 2021, kur Petersi u akuzua se kishte organizuar një shkelje të sigurisë së pajisjeve zgjedhore.
Ajo u dënua sepse kishte lejuar që një kartë sigurie e qarkut të përdorej në mënyrë të paligjshme, duke i dhënë akses në sistemin zgjedhor të qarkut Mesa një personi të lidhur me CEO-n e MyPillow, Mike Lindell. Ajo gjithashtu u shpall fajtore për mashtrimin e zyrtarëve të tjerë lidhur me identitetin e këtij personi. / Newsweek - Syri.net
