Trump pret kryeministrin e ri kanadez Carney mes marrëdhënieve të tensionuara dypalëshe

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të presë sot kryeministrin e ri të Kanadasë, Mark Carney në Shtëpinë e Bardhë, mes marrëdhënieve të tensionuara dypalëshe midis dy fqinjëve.

Përpara vizitës, Carney tha se takimi do të përqendrohej në tarifat dhe marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve.

Megjithatë, Trump tha dje se nuk ishte i sigurt se për çfarë dëshironte ta takonte Carney. “Mendoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje. Të gjithë duan”, tha Trump.

Carney fitoi zgjedhjet e Kanadasë më 28 prill, i mbështetur nga qëndrimi i tij i ashpër anti-Trump.

Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të aneksojë Kanadanë si shtetin e 51-të të Shteteve të Bashkuara.

Ai gjithashtu ka vendosur tarifa të larta për vendin fqinj, ekonomia e të cilit është e ndërthurur ngushtë me atë të SHBA-së.

Deklarata e Trump në lidhje me aneksimin e Kanadasë shkaktoi zemërim të gjerë.

Në një intervistë televizive gjatë fundjavës, presidenti i SHBA-së tha se ishte e pamundur që SHBA-ja të arrinte në një pikë ku do të ndërhynte me ushtrinë e saj.

Pas fitores së Partisë së tij Liberale në zgjedhjet parlamentare të javës së kaluar, Carney premtoi se do t’i kundërshtonte me vendosmëri politikat agresive të qeverisë amerikane.

“Presidenti Trump po përpiqet të na thyejë në mënyrë që Amerika të na zotërojë: Kjo nuk do të ndodhë kurrë”, tha Carney në fjalimin e tij të fitores.

“Kur të ulem me presidentin Trump, do të diskutojmë marrëdhënien e ardhshme ekonomike dhe të sigurisë midis dy kombeve sovrane – dhe do të jetë me dijeninë tonë të plotë se kemi shumë mundësi të tjera – me përjashtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndërtuar prosperitet për të gjithë kanadezët”, shtoi Carney.